Donald Trump - Foto: REL/AFP

Trump paralajmëron sulm ndaj anijeve iraniane nëse pengojnë ushtrinë e SHBA-së

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ka urdhëruar Marinën e SHBA-së, të sulmojnë dhe shkatërrojnë çdo anije iraniane që pengon anijet amerikane në det të hapur.

“Unë e kam udhëzuar Marinën e Shteteve të Bashkuara që të shkatërrojë anijet luftarake iraniane nëse ata ngacmojnë anijet tona në det”, tha Trump përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Urdhri vjen një javë pasi një video e marinës së SHBA-së, tregoi disa anije iraniane me mjete luftarake, që u afroheshin atyre amerikane, ndërsa ato lundronin në Gjirin Persik, afër Kuvajtit.

Marina e SHBA-së tha se në kohën e incidenteve anijet e saj ishin në ujëra ndërkombëtare duke kryer ushtrime.

Marina tha se 11 anije të Korpusit të Gardës Islamike të Iranit (IRGC) bënë “qasje të rrezikshme dhe ngacmuese” drejt anijeve amerikane.

Mirëpo Trump nuk përmendi ndonjë ngjarje specifike si dhe nuk paraqiti detaje të tjera në postimin e tij.

Një zëdhënës i ushtrisë iraniane reagoi duke thënë se Shtetet e Bashkuara duhet “të përqëndrohen në shpëtimin e forcave të saj të armatosura nga koronavirusi”, raportoi agjencia iranianeve e lajmeve ISNA.

Ndërveprime të ngushta me anijet ushtarake iraniane kanë ndodhur në rajon edhe në të kaluarën. Anijet amerikane disa herë kanë ndërmarrë të shtëna paralajmëruese ndaj anijeve iraniane.

Tensionet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara u rritën në janar pasi Shtetet e Bashkuara vranë komandantin e Forcës Quds Irani Qasem Soleimani në një sulm me dron në Irak./REL