Donald Trump dhe Vladimir Putin gjatë takimit në Helsinki, korrik 2018 - Foto: REL/Reuters

Trump para telefonatës me Putinin thotë se ka pajtim për "shumë elemente"

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se “shumë elemente” të Marrëveshjes së paqes në Ukrainë janë harmonizuar me homologun rus, Vladimir Putin, para bisedës së pritur telefonike të së martës – raporton televizioni britanik BBC.

Trump ka postuar në Truth Social se do të flasë me Putinin në telefon të martën në mëngjes. Ai ka theksuar se derisa ka elemente për të cilat është arritur pajtim, “shumëçka mbetet” të diskutohet pastaj.

“Çdo javë rezulton me 2,500 ushtarë të vdekur nga të dyja palët dhe kjo duhet të mbarojë tani. Unë pres shumë nga biseda me presidentin Putin.” – ka shkruar presidenti Trump.

Ai më herët ka deklaruar para gazetarëve se “ne do të shohim nëse mund të arrijmë një Marrëveshjeje paqeje, një armëpushim dhe paqe dhe mendoj se ne jemi të zotë ta bëjmë këtë”.

Në adresimin e tij të së hënës mbrëma presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Putinin se po e zgjat qëllimshëm luftën.

“Ky propozim do të mund të zbatohej kaherë” – është shprehur Zelensky, duke shtuar se “çdo ditë lufte kushton me jetë njerëzish”.

Ka pasur mungesë të konsistencës brenda Administratës së Trumpit lidhur me bisedimet e avancuara për armëpushimin.

Duke folur pas takimit të tij në Xheda me zyrtarët ukrainas sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka deklaruar se hisja më e madhe e bisedimeve është përqendruar në atë se “si do të dukej procesi i negociatave” dhe jo “kushtet specifike”.

Edhe emisari amerikan Steve Witkoff i cili e ka takuar të enjten Putinin në Moskë ka pasur një qasje më të matur.

Njëherësh Britania e Madhe dhe Franca kanë inkurajuar Putinin që ta vërtetojë se dëshiron Marrëveshje paqeje me Ukrainën.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com