Trump: Nëse fitoj 5 nëntori “do të jetë ditë çlirimi për Amerikën”

Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë derisa Amerika të vendosë nëse Kamala Harris, apo Donald Trump, do të zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan BBC më 03.11.2024.

Të shtunën mbrëma, sipas kohës lokale amerikane, Trumpi ka deklaruar para një të tubimit zgjedhor në Karolinën Veriore se 5 nëntori “do të jetë ditë çlirimi në Amerikë”, duke shtuar gjithashtu se SHBA-ja “është një vend i pushtuar”.

“Unë po punoj fort, sepse ne duhet ta fitojmë garën zgjedhore”, ka deklaruar Trumpi, duke u thënë pjesëmarrësve se është detyruar ta kondensonte fjalimin “për shkak se është vonë”.

Trumpi ka mbajtur një fjalim prej 90 minutash, që është goxha i zakonshëm për tubimet e tij, vlerëson transmetuesi britanik. Në tubimet e tij shpesh ka edhe mysafirë që mbajnë fjalime, derisa vetë Trumpi ka ndodhur që të fliste për më shumë se dy orë vetë.

Harris ndërkaq e ka mbyllur të shtunën mbrëma me paraqitjen e saj në emisionin “Saturday Night Live”, ku ka pasur një komedi të drejtpërdrejtë prej komedianes dhe aktores Maya Rudoplh.

Edhe Harris ka bërë fushatë në Karolinën Veriore. Ajo ka thënë se Trumpi është njeri “përherë më jostabil, i fiksuar me hakmarrje, i konsumuar me zemërim, dhe është njeri që dëshiron pushtet të pakontrolluar”.

Nëse fiton Trumpi, do të fokusohet në “listën e tij të armiqve”, ka thënë Harris. “Ndryshe prej Donald Trumpit, nuk besoj se njerëzit të cilët nuk pajtohen me mua, janë armiku”, ka thënë ai. “Ai dëshiron t’i burgosë. Unë do t’ju ofroj mundësinë për t’u ulur pranë tavolinës me mua. Kështu duket lidershipi i vërtetë”, ka thënë ajo.

Më shumë se 75 milionë amerikanë tashmë kanë hedhur votën e tyre, por fushatat e ish-presidentit republikan dhe zëvendëspresidentes demokrate po vazhdojnë aktivitetet zgjedhore për t’ua mbushur mendjen amerikanëve të luhatur, që pritet të jenë përcaktues të martën se kush do ta marrë drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë katë viteve të ardhshme.

Harris ka pasur një epërsi të vogël ndaj Trumpit në sondazhet kombëtare qëkur hyri në garë në fund të korrikut dhe ka epërsi. Sipas rezultateve të anketimit të kryer prej ABC Neës më 3 nëntor, Harris ka epërsi 48 me 47 për qind kundrejt Trumpit.

Megjithëse sondazhet kombëtare janë një udhëzues i dobishëm se sa popullor është një kandidat në të gjithë vendin, nuk janë mënyra më e mirë për të parashikuar rezultatin e zgjedhjeve për shkak se SHBA-ja përdor një sistem kolegji zgjedhor, në të cilin çdo shteti i jepet një numër votash afërsisht në përputhje me madhësinë e popullsisë së tij.

Një total prej 538 votash të kolegjit zgjedhor janë në dispozicion, kështu që një kandidat duhet të fitojë 270 elektorë për ta fituar presidencën.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com