Presidenti amerikan, Donald Trump.

Trump kritikon Bidenin për injorim të marrëveshjes Kosovë-Serbi

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, lëshoi një deklaratë gjatë ditës së sotme ku thuhet se “ambasadori i tij i dërguar” Richard Grenell vizitoi kufirin Kosovë-Serbi për të shprehur frustrimin që marrëveshjet historike për normalizim nuk janë implementuar.

Administrata Trump ka punuar për sigurimin e marrëveshjeve për normalizim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2020.

Presidenti Joe Biden deri tani nuk është përfshirë.

“Njerëzit e mrekullueshëm të Serbisë dhe Kosovës kanë kapërcyer pengesa të mëdha gjatë rrugës për normalizim ekonomik. Marrëveshjet e ndërmjetësuara nga administrata ime janë historike dhe nuk duhet të braktisen, shumë jetë janë në pikëpyetje”, tha Trump në një deklaratë  të lëshuar nga Save America PAC e cila më pas u postua nga zëdhënësja Liz Harrington.

“Rajoni është shumë i rëndësishëm dhe njerëzit atje kanë pritur shumë gjatë që kjo punë të lihet mënjanë”, thuhet tutje në deklaratë.

Grenell, i emëruar i posaçëm për negociata paqësore mes Kosovës dhe Serbisë nga Trump në vitin 2019 mbajti një konferencë të improvizuar për shtyp në pikën kufitare në Merdarë që gjendet mes dy vendeve.

“Sot, ambasadori i dërguar Ric Grenell vizitoi kufirin Kosovë-Serbi për të vënë në pah rëndësinë e kësaj marrëveshjeje”, tha Trump.

“Ashtu siç e dëshmuan në Lindjen e Mesme me Marrëveshjet e Abrahamit, paqja dhe normalizmi ekonomik është i mundur, por kërkon përpjekje të sinqertë dhe udhëheqje të palëkundur. Prosperiteti afatgjatë për këto dy kombe është në pikëpyetje”, thuhet tutje në deklaratë.

Derisa, Grenell para gazetarëve tha se ka ardhur të vizitojë rajonin sepse janë të frustruar.

“Shumë pjesëtarë të administratës Trump dhe shumë amerikanë janë të frustruar pasi ne pamë se një marrëveshje historike, ekonomike për të cilën ishim pajtuar, nuk do respektohej”, tha Grenell.

Grenell po ashtu potencoi se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nuk ishte bërë për qeveri por për zhvillim ekonomik. newsmax.com

Përgatiti: Ardita Zeqiri