Trump konteston identitetin racor të Harrisit
Donald Trump, gjatë një debati të nxehtë në një konventë me gazetarë afro-amerikanë, e ka vënë në dyshim identitetin racor të Kamala Harrisit, raporton BBC.
Trump pretendoi rrejshëm se zëvendëspresidentja dhe kandidatja potenciale demorkate për presidente ka nisur të theksojë prejardhjen e saj amerikano-aziatike vetëm kohëve të fundit, kur sipas tij, “u bë person me ngjyrë”.
“Unë nuk e dija se ishte me ngjyrë derisa para pak vitesh kur rastisi të kthehej në person me ngjyrë dhe tani dëshiron të njihet si person me ngjyrë”, ka thënë ai gjatë konventës së Asociacionit Kombëtarë të Gazetarëve Afro-Amerikanë në Çikago të mërkurën sipas kohës lokale amerikane.
“Andaj, unë nuk e di – a është induse? Apo me ngjyrë?”.
Harris ka thënë se deklaratat e Trumpit “janë storie e vjetër” e “përçarjes dhe mosrespektit”, ka raportuar transmetuesi britanik, BBC.
“Qytetarët amerikanë meritojnë diçka më mirë”, ka deklaruar ajo gjatë një takimi të një shoqërie të amerikanëve me ngjyrë në Hjuston. “ne meritojmë një lider që e kupton se dallimet tona nuk na ndajnë – ato janë burim thelbësor i fuqisë tonë”.
Harris është zëvendëspresidentja e parë me ngjyrë dhe me prejardhje aziatike, lindur prej prindërve nga India dhe Xhamajka. Ajo kishte kryer studimet në Universitetin e Howardit, universitet ku historikisht janë shkolluar amerikanët me ngjyrë, dhe iu bashkua shoqërisë me ngjyrë, “Alpha Kappa Alpha”. Ajo u zgjodh kongresiste në Senat më 2017.
Deklarimet e Trumpit kanë shkaktuar debat të fortë me korrespodenten e ABC News, Rachel Scott, që ishte njëra prej moderatorëve në aktivitetin e Çikagos.
“I respektoj të dyja”, ka thënë kandidati republikan për president, duke iu referuar identiteve racore të Harrisit. “Por qartazi nuk i respekton edhe ajo sepse thoshte se ishte vetëm induse dhe pastaj papritmas ndërroi dhe u bë person me ngjyrë”.
Sekretarja amerikane e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, ka thënë se “askush nuk e ka të drejtën për t’u treguar tjerëve çfarë janë, si të identifikohen. Kjo nuk është e drejtë e askujt”.
Edhe kongresisti i Dhomës së Përfaqësuesve, Ritchie Torres, nga New Yorku, ka thënë se kush është Donald Trump për ta luajtur arbitrin e përcaktimit të identiteteve racore. Ai e ka përshkruar Trumpin si “relikt të së kaluarës raciste”.
Kandidati republikan dhe ish-presidenti amerikan ka histori të sulmeve ndaj kundërshtarëve mbi bazën e racës. Ai e akuzoi rrejshëm Barack Obama, presidentin e parë me ngjyrë të SHBA-së, se nuk ishte lindur në territorin amerikan.
Trump e kishte sulmuar ish-ambasadoren amerikane në OKB dhe ish-rivalen partiake, Nikki Haley, duke pretenduar rrejshëm se nuk mund të bëhej presidente për shkak se prindërit e saj nuk ishin shtetas amerikanë kur u lind ajo.
Harris është përballur me një seri sulmesh prejse mori mbështetjen e madhe partiake për të garuar për presidente, megjithëse ende nuk është kandidate zyrtare e partisë. Republikanët e kanë kritikuar përkrahjen për të, duke theksuar se demokratët e njohur po e mbështesin vetëm për shkak të racës.
Tim Burchett, kongresist republikan nga Tennessee, e ka quajtur atë “Zëvendëspresidentja DEI – duke iu referuar inicialeve të fjalëve në anglisht për programet e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes.
Scott e ka pyetur Trumpin për ta sqaruar nëse besonte se Harris është “një e punësuar e DEI”.
Ai është përgjigjur: “Përnjëmend nuk e di, mund të jetë”.
Harris e ka pranuar gjithnjë se ishte rritur me krenari me trashëgiminë e prejardhjes së saj induse./BBC
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com