Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Trump kërcënon me pezullim të punës së Kongresit

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar me pezullim të punës së Kongresit, pasi është zemëruar që ligjvënësit janë duke punuar me ritëm të ngadalshëm për të miratuar kandidatët e tij në pozita të larta, duke përfshirë të nominuarin e tij për një agjenci federale që mbikëqyr mediat e financuara nga taksapaguesit amerikanë, ku përfshihen Radio Evropa e Lirë dhe Zëri i Amerikës.

Ky kërcënim gjatë një konference për media ka ardhur pas akuzave të Shtëpisë së Bardhë se Zëri i Amerikës ka shpërndarë propagandë kineze gjatë pandemisë me koronavirus.

“Senati duhet të përmbushë detyrimet që ka dhe të votojë të nominuarit e mi, apo duhet të pezullohet zyrtarisht, ashtu që unë të bëj emërimet”, ka thënë ai.

Trump i është referuar një mekanizmi në kushtetutë që lejon presidentin të pezullojë punën e Kongresit për t’i lejuar atij të bëjë emërimet drejtpërdrejt dhe jo me shumicë të votave nga Senati, që aktualisht kontrollohet nga republikanët.

Lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell ka lëshuar një deklaratë duke thënë se ndonëse ai është zotuar për gjetjen e një rruge për të konfirmuar të nominuarit në një kohë kritike të luftimit të koronavirusit “sipas rregullave të Senatit duhet miratim” edhe nga lideri i pakicës në Senat, Chuck Schumer.

Deri më tani asnjë president amerikan nuk ka shfrytëzuar këtë mundësi të kushtetutës.

Më 2014, Gjykata Supreme ka marrë vendim që një veprim i tillë nuk mund të merret përveç nëse Senati është në pushim apo i pamundësohet puna.

Trump ka specifikuar shtyrjen në Senat për konfirmimin e regjisorit të filmave dhe dokumentarëve, Michael Pack në pozitën e udhëheqësit të Agjencisë amerikane për Media Globale, që mbikëqyr mediat e paguara nga taksapaguesit amerikanë.

“Ai është bllokuar në Komitet për dy vjet, duke na parandaluar nga menaxhimi i Zërit të Amerikës. Shumë e rëndësishme” ka thënë Trump, duke shtuar se ajo çfarë ka dëgjuar “se po transmetohet në Zërin e Amerikës është e neveritshme”.

Udhëheqësja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett ka hedhur poshtë kritikat e Shtëpisë së Bardhë një javë më parë, duke thënë se mediat e pavarura dhe të financuara nga publiku janë të lira që të tregojnë të gjitha anët e një çështjeje “dhe kanë mandat për ta bërë këtë gjë me ligj”.

Mediave ndërkombëtare amerikane u ndalohet me ligj që të shënjestrojnë në programin e tyre audiencën amerikane. /REL