Trump i referohet trazirave të dhunshme të Kapitol Hillit në tubimin e Teksasit përpara akuzave të mundshme kundër tij

Ish-presidenti amerikan Donald Trump – i cili aktualisht po përballet me një padi të mundshme – u shfaq sfidues dhe nxitës teksa mbajti mitingun e parë të fushatës së tij zgjedhore 2024 të shtunën në Waco, Teksas të SHBA-së.

Në një shfaqje të jashtëzakonshme, Trump e hapi mitingun e tij teksa këndohej kënga, “Drejtësia për të gjithë”, këngë kjo e cila përmban një kor burrash të burgosur për rolin e tyre më 6 janar të vitit 2021, kryengritja në Kapitol Hill të SHBA duke e kënduar himnin kombëtar dhe një regjistrim të ish-presidentit duke e recituar Zotimin për Besnikëri.

Disa pamje nga kryengritja u shfaqën në ekrane.

“Do të shfajësoheni dhe do të jeni krenarë dhe, banditët e kriminelët që po korruptojnë sistemin tonë të drejtësisë, do të mposhten, diskreditohen dhe turpërohen plotësisht”, deklaroi ish-presidenti republikan në fillim të fjalimit të tij.

“Kjo është ajo që po ndodh”

Tubimi i Trump në aeroportin në Waco vjen pasi i ka qortuar prokurorët, ka inkurajuar protesta dhe e ka ngritur mundësinë e dhunës potenciale nëse bëhet ish-presidenti i parë në historinë e SHBA që përballet me akuza penale.

Disa nga retorikat e tij të fundit, përfshirë ato në mitingun e lartcekur, i kanë bërë jehonë gjuhës që ai përdorte përpara trazirave të dhunshme në Kapitol Hill më 6 janar të vitit 2021 nga një turmë mbështetësish të tij që kërkonin ta ndalonin transferimin e pushtetit te demokrati Joe Biden, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale.

Trump deklaroi se “armiqtë e tij janë të dëshpëruar të na ndalojnë” dhe “kundërshtarët tanë kanë bërë gjithçka që munden për ta shtypur shpirtin tonë dhe për të thyer vullnetin tonë”.

Tutje, Trump shtoi se “ata dështuan dhe vetëm na kanë bërë më të fortë. Dhe viti 2024 është beteja finale, do të jetë beteja e madhe. Më ktheni në Shtëpinë e Bardhë, mbretërimi i tyre do të përfundojë dhe Amerika do të jetë përsëri një komb i lirë”.

Zgjedhja e tij e lokacionit për ta mbajtur mitingun e tij elektoral në Waco vjen në mes të 30-vjetorit të një bllokimi 51-ditor dhe rrethimi vdekjeprurës midis zbatimit të ligjit të SHBA dhe Degës Davidiane (Branch Davidians) që rezultoi në vdekjen e më shumë se 80 anëtarëve të kultit fetar dhe katër agjentëve federalë dhe është bërë një gur prove për ekstremistët e djathtë dhe grupet e milicisë.

Fushata e Trump ka këmbëngulur se lokacioni dhe koha e ngjarjes nuk kanë të bënin me rrethimin e Waco-s apo përvjetorin e tij.

Një zëdhënës tha se ky lokacion, 27 kilometra larg nga kompleksi i Degës Davidian, u zgjodh sepse ishte i vendosur në mënyrë të përshtatshme pranë katër prej zonave më të mëdha metropolitane të shtetit – Dallas/Fort Worth, Houston, Austin dhe San Antonio – dhe ka infrastrukturën e duhur për ta trajtuar një numër të konsiderueshëm të turmës.

Guvernatori i Teksasit Dan Patrick deklaroi para mbërritjes së Trump se ishte ai që kishte sugjeruar Waco-n si lokacion për mitingun. Çdo sugjerim që Trump kishte zgjedhur qytetin për shkak të përvjetorit është “lajm i rremë. Zgjodha Waco-n”, i tha ai turmës së pranishme aty.

Trump nuk bëri asnjë referencë të drejtpërdrejtë në fjalimin e tij për historinë e Waco-s, duke i thënë turmës që i tha Patrikut se donte ta mbante tubimin e tij në një vend ku e ka mbështetjen dërrmuese, jo “një nga ato zonat 50-50” duke shtuar se i ka thënë Patrikut që “të shkojmë drejt e në zemër të tij”.

“Por me aq sa mund ta shohë syri”, shtoi ai menjëherë, “abuzimet me pushtetin që po shohim aktualisht në të gjitha nivelet e qeverisjes do të zbresin si ndër kapitujt më të turpshëm, më të korruptuar, më të shthurur në të gjithë historinë amerikane”.

Audienca e pranishme në miting mbante në duar tabela bardhë e kuq të shpërndara nga fushata ku thuhej “Gjueti shtrigash” dhe “Jam me Trumpin”.

Trump vazhdimisht i ka kritikuar hetimet të shtunën, duke deklaruar “sjellje të pahijshme prokuroriale” në hetimet penale në vazhdim, por gjithashtu duke i dënuar hetimet e kaluara, përfshirë lëshimin e deklaratave të tij tatimore nga demokratët në Dhomën e SHBA pas një beteje të zgjatur ligjore.

“Kjo ndoshta më bën njeriun më të pafajshëm në historinë e vendit tonë”, ka deklaruar Trump. “Miqtë e mi e thonë këtë”.

Ish-presidenti tha se ka pasur “publicitet të keq”, por “shifrat e tij të sondazheve e kanë renditur atë shumë lart”.

Në disa pika, Trump e kritikoi guvernatorin e Floridës Ron DeSantis, i cili pritet të kandidojë për president dhe shihet si sfiduesi i tij më i fortë potencial për nominimin e radhëve të republikanëve. Trump e quajti aleatin e tij të dikurshëm jo besnik dhe tha se ai “po shënon rënie të madhe”.

Disa orë para se Trump të arrinte në miting, qindra mbështetës të tij filluan të derdheshin në aeroport me flamujt e Trump në duar, ngjitësit e parakolpit dhe figurat e veprimit.

Nuk kishte asnjë shenjë të kundërprotestuesve pranë radhës së gjatë të mbështetësve të Trump që prisnin të futeshin brenda.

Midis tyre ishte Eugene Torres, 41 vjeç, i cili tha se nuk ishte i shqetësuar nga perspektiva që Trump mund të paditet.

“Është vetëm një sulm tjetër politik ndaj tij për ta penguar atë të kandidojë dhe ta fitojë përsëri këtë garë”, tha Torres, nga Teksasi.

Alan Kregel, 56 vjeç, udhëtoi me gruan e tij nga Dallasi për të parë personalisht Trumpin për herë të parë. Ndërkohë që ai votoi për Trump në 2016 dhe 2020, i njëjti thotë se ndjente se “metodat dhe fjalori” i ish-presidentit shpesh i minimizonin politikat e tij. Por tani, dy vjet jashtë detyrës, ai tha se e mbështet Trumpin më shumë sesa më parë.

“Ai është një njeri i pafajshëm, vetëm i persekutuar”, tha Kregel, duke argumentuar se një aktakuzë do ta ndihmonte Trumpin të fitonte në vitin 2024.

Tubimi ishte organizuar tashmë përpara se të bëhej e qartë se një juri e madhe në Nju Jork po i afrohej një aktakuze të mundshme pasi po i heton pagesat e parave për të heshtur të bëra për gratë që pretendonin se kishin pasur takime seksuale me Trump gjatë kulmit të fushatës së tij 2016. Trump i ka mohuar pretendimet e këtyre grave.

Juria e madhe që po i heton pagesat e parave të heshtura pritet të mblidhet sërish të hënën në Nju Jork.

Trump ka kaluar javë të tëra duke u kritikuar kundër hetimit dhe në një postim në faqen e tij të mediave sociale të premten paralajmëroi për “vdekje dhe shkatërrim potencial në një akuzë kaq të rreme” nëse ai akuzohet për një krim.

Në një lëvizje që dukej e krijuar për ta parandaluar një njoftim zyrtar, Trump pretendoi të shtunën e kaluar se do të arrestohej të martën e ardhshme.

Ndërkohë qënjë gjë e tillë nuk ndodhi, Trump i ka përdorur ditët që nga ajo kohë për t’u përpjekur ta formësojë perceptimin publik.

Trump gjithashtu ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për dhunë, duke u bërë thirrje mbështetësve të tij të protestojnë, pasi ai ka nisur gjithnjë e më shumë sulme personale kundër Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg.

Të premten, një substancë pluhuri u gjet me një letër kërcënuese në një dhomë postare në zyrat e Bragg, thanë autoritetet amerikane. Zyrtarët më vonë përcaktuan se substanca nuk ishte e rrezikshme.

Edhe përpara se letra kërcënuese të dërgohej në zyrën e Bragg, demokratët paralajmëruan se vërejtjet e Trump kishin potencialin për të nxitur dhunë.

“Retorika e ish-presidentit të akuzuar dy herë është e pamatur, e dënueshme dhe e papërgjegjshme. Është e rrezikshme, dhe nëse ai vazhdon kështu, do të vrasë dikë”, ka deklaruar udhëheqësi demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries i Nju Jorkut.

Përveç çështjes së Manhatanit, Trump po përballet gjithashtu me një hetim në Gjeorgji për përpjekjet e tij për t’i përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, si dhe hetimet federale për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara dhe pengesat e mundshme, si dhe përpjekjet e tij më 6 janar në Kapitol Hill të SHBA-ve./Upday.com.uk

Përgatiti: Nuhi Shala