Trump hetohet për shkelje të mundshme të ligjit të spiunazhit

Departamenti amerikan i Drejtësisë po heton ish-Presidentin Donald Trump për shkelje të mundshme të ligjit të spiunazhit si dhe krime të tjera. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Patsy Widakuswara, gjatë kontrollit të shtëpisë së ish-presidentit në Florida këtë javë, agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve konfiskuan mes të tjerash “dokumenta tepër sekrete”.

Të premten, Gjykata e Qarkut për Floridën Jugore bëri publike urdhërin për kontrollin e shtëpisë së ish-Presidentit Donald Trump dhe listën e sendeve të konfiskuara.

Dokumentat tregojnë se agjentët e FBI-së gjetën 11 dosje me dokumenta, përfshirë materiale të etiketuara tepër sekrete, sekrete dhe konfidenciale. Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland tha se kishte dhënë miratimin për kontrollin e shtëpisë së ish-presidentit.

“Departamenti (i Drejtësisë) nuk e merr lehtë një vendim të tillë. Aty ku është e mundur, është praktikë standarde që të kërkohen mjete më pak ndërhyrëse si alternativë për një kontroll, dhe shtrirjen sa më të ngushtë të çdo kërkimi që ndërmerret”, tha zoti Garland.

Të enjten, në një mënyrë tejet sfiduese, zoti Trump bëri një akuzë të pabazë se ish-Presidenti Barack Obama mori me vete 33 milion dokumenta, mes tyre të klasifikuara. Përmes një deklarate të premten, Arkivi Kombëtar hodhi poshtë pretendimet duke shtuar se agjencia kishte marrë në dorëzim dokumentat presidencale të zotit Obama kur ai i largua nga detyra.

Aleatët republikanë i dolën në mbrojtje zotit Trump, duke thënë se administrata e Presidentit Biden po e përdor Departamentin e Drejtësisë dhe FBI-në si mjet politik.

“Presidenti Donald Trump është kundërshtari më i mundshëm politik i Joe Biden-it në vitin 2024(zgjedhjet presidenciale). Kjo ndodh më pak se 100 ditë nga zgjedhjet kritike të mesmandatit”, tha Elise Stefanik, ligjvënëse republikane nga Nju Jorku.

Zoti Trump po hetohet për shkelje të mundshme të ligjit të spiunazhit, i cili mbulon veprat që përfshijnë keqpërdorimin e materialeve të klasifikuara.

Pavarësisht se si rrjedh situata, çështja tashmë po dëmton sigurinë kombëtare, thotë për Zërin e Amerikës ish-analisti i CIA-s Paul R. Pillar.

“Madje tani, nëse dokumentet janë marrë në dorëzim, le të themi nga FBI-ja dhe një qeveri, një qeveri e huaj nuk mund të ketë qasje të drejtpërdrejtë në to. Por ndoshta ka njerëz në rezidencën e zotit Trump që kanë patur qasje tek këto gjëra, që kanë lexuar pjesë nga to, që kanë njohuri për to, të gjithë bëhet objektiva të mundshëm rekrutimi për agjencitë e huaja të zbulimit”.

Zoti Pillar thotë se qeveritë e huaja gjithashtu do të shikojnë nëse materiali është i turpshëm apo i dëmshëm për to. Një nga dosjet e konfiskuara nga rezidenca e ish-presidentit mbante etiketën “Informacione në lidhje me presidentin e Francës”./VOA