Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Trump: Hebrenjtë do të jenë pjesërisht fajtorë nëse i humb zgjedhjet

Kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se votuesit hebrenj amerikanë do të jenë pjesërisht fajtorë nëse ai i humb zgjedhjet e 05.11.2024 kundrejt rivales demokrate, zëvendëspresidentes Kamala Harris, raporton Reuters.

Gjatë komenteve në Samitin e Këshillit Kombëtar Amerikano-Izraelit në Uashington, ish-presidenti u ankua se po ngecte prapa Harrisit në mesin e hebrenjve amerikanë.

Izraeli me gjasë nuk do të ekzistonte brenda dy vitesh nëse Harrisi do t’i fitonte zgjedhjet, dhe hebrenjtë duhet të fajësohen pjesërisht për këtë rezultat nëse ata priren t’i votojnë demokratët, ka thënë Trumpi.

“Nëse nuk i fitoj këto zgjedhje – dhe hebrenjtë do të kishin lidhje të më madhe me këtë nëse ndodh për shkak se nëse 40 për qind, dua të them, 60 për qind e njerëzve votojnë për armikun – Izraeli, në opinionin tim, nuk do të ekzistojë më brenda dy vitesh” – ka thënë Trumpi para turmës.

Trumpi i është referuar një sondazhi që ka treguar se mbështetja për Harrisin në mesin e hebrenjve amerikanë ishte 60 për qind. Ai gjithashtu ka qortuar votuesit hebrenj për shkak se në zgjedhjet e vitit 2016 kishte fituar më pak se 30% të votave të tyre, megjithëse Trumpi i kishte fituar ato zgjedhje. Ngjashëm vota kishte fituar edhe në zgjedhjet e vitit 2020, të cilat i kishte humbur kundrejt presidentit demokrat, Joe Biden.

Nuk ishte e qartë se cilave anketime po u referohej ish-presidenti, por një anketim i kryer së fundmi nga qendra kërkimore Pew ka treguar se 65% e hebrenjve amerikanë mbështesin Harrisin kundrejt 34% Trumpin.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com