Benjamin Netanyahu dhe Donald Trump - Foto: Benjamin Netanyahu/Facebook

Trump fton Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë - thotë Izraeli

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është ftuar nga presidenti amerikan Donald Trump për një takim në Shtëpinë e Bardhë, më 04.02.2025 – ka thënë Zyra izraelite të martën.

“Netanyahu është lideri i parë i huaj i cili është ftuar në Shtëpinë e Bardhë në mandatin e dytë të Trumpit.” – është thënë në deklaratë.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e ka konfirmuar ftesën dhe ka thënë se takimi do të realizohet “në fillim të javës tjetër”.

“Hollësitë do të bëhen publike kur të finalizohen.” – ka thënë ky zyrtar.

Takimi mes Trumpit dhe Netanyahut vjen pasi Presidenti amerikan ka deklaruar se është përgjegjës për arritjen e armëpushimit në mes të Izraelit dhe Hamasit në Gazë, pas disa muajve të negociatave të pasuksesshme.

Hamasi është grup palestinez që udhëheq Gazën, i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Përgjatë mandatit të parë Trump ka thënë shpesh se Izraeli “nuk ka pasur kurrë mik më të mirë në Shtëpinë e Bardhë” dhe kjo gjë është pohuar shpesh nga Netanyahu.

Pak pas nisjes së mandatit të dytë, Trump e ka miratuar dërgimin e 2.000 bombave në Izrael, ndonëse ish-presidenti Joe Biden nuk pati lejuar diçka të tillë.

Netanyahu e ka përshëndetur Trumpin që i ka ofruar Izraelit ato që i ka konsideruar “pajisje” për të mbrojtur veten./REL