Trump e zgjedh zëvendësuesin e Grenellit në krye të inteligjencës

 

Presidenti i Amerikës, Donald Trump ka njoftuar se kongresisti, John Ratcliffe është kandidati i tij për të shërbyer si Drejtor i Inteligjencës Kombëtare.

Në këtë pozicion për momentin është ambasadori amerikan në Gjermani Richard Grenell, por është vetëm si ushtrues detyre, sepse ai më herët ka deklaruar se nuk është i gatshëm t’a pranojë këtë post.

Presidenti Trump përmes një postimi në Twitter ka deklaruar se është i lumtur të nominojë kongresistin Ratcliffe si Drejtor të Inteligjencës Amerikane.

“Johni është një njeri i jashtëzakonshëm dhe një talent i madh”, shkroi presidenti Trump.

Presidenti Trump e kishte propozuar edhe më parë ligjvënësin Ratcliffe nga Teksasi për këtë post.

Por në fillim të muajit gusht të vitit të kaluar ai tërhoqi papritmas emrin e tij mes debateve rreth kualifikimit të zotit Ratcliffe për vendin e punës.

Demokratët dhe republikanët e kritikuan atë për mungesë përvoje në këtë fushë. Nëse konfirmohet nga Senati, Ratcliffe do të zëvendësojë ambasadorin Richard Grenell i cili më 20 shkurt u emërua nga presidenti Trump në krye të Shërbimeve të Zbulimit, ndërsa mban postin e ambasadorit në Gjermani dhe atë të të dërguarit të posaçëm të presidentit për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar shërben si mbikëqyrëse e Komunitetit të Shërbimeve të Inteligjencës që përbëhet nga 16 agjenci të ndryshme zbulimi, më e njohura prej të cilave është CIA.

Kjo zyrë u krijua pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, për të bashkërenduar punën e agjencive të zbulimit./21Media