Donald Trump i gjakosur. Pensilvani, 14.07.2024 | Foto: CNN

Trump do të merret në pyetje nga FBI-ja

Donald Trump është pajtuar që të intervistohet nga FBI-ja në kuadër të hetimit të po zhvillohet për tentim-vrasjen në tubimin e tij zgjedhor në fillim të muajit në Pennsylvania, raporton BBC.

Gjatë një komunikimi me gazetarë, FBI-ja nuk ka treguar datën për intervistën, por ka njoftuar se do të jetë “një intervistë standarde me viktimën që ne e bëjmë për cilëndo viktimë krimi”.

“Ne duam të kemi perspektivën e tij se çfarë ka parë”, ka thënë agjenti special i FBI-së, Kevin Rojek.

Megjithëse ka pasur një mal dëshmish, hetuesit ende nuk e kanë përcaktuar motivin për ta shpjeguar se pse Thomas Matthew Crooks, gjuajti në drejtim të Trumpit në ditën e 13 korrikut.

Mesazhet e porsapublikuara njëherësh kanë spikatur se 20-vjeçari ishte vërejtur nga një ekip lokal SËAT më shumë se 90 minuta para gjuajtjes – shumë më herët sesa ishte menduar më herët.

Mesazhet e siguruara nga “New York Times” dhe ABC News do të shtohen në listën e dështimeve të sigurisë për procedurat para atentatit të dështuar kundër ish-presidentit amerikan, shkruan BBC.

FBI-ja ka bërë të ditur se hetuesit besojnë se Crooks kreu një “planifikim të kujdesshëm” para tubimit të 13 korrikut dhe ndërmori “përpjekje të rëndësishme” me qëllim që të kryente aktivitetet e tij.

Planifikimi – që përfshinte edhe blerjen e gjashtë komponentëve për materialet e tij shpërthyese – ishte kryer në atë mënyrë që “nuk do të binin theksueshëm në sy prej prindërve”, ka thënë Rojek.

Hetime të shumëfishta janë lansuar se çka shkoi keq në vendin e ngjarjeve publike në Butler para tubimit të 13 korrikut.

Drejtoresha e Shërbimit Sekret amerikan, Kimberly Cheatle, dha dorëheqje, duke pranuar dështimet e organizatës së saj.

Në ditën e tentim-vrasjes, agjencia ishte në krye të masave të sigurisë për një perimetër përreth ngjarjes politike, derisa forcat lokale të sigurisë kishin përgjegjësinë për një perimetër më të largët.

Në 16:19 sipas kohës lokale, një sanjperist lokal policie u kishte shkruar mesazh dy kolegëve që ndodheshin në katin e dytë të një depoje me pamje kah zona, duke u thënë se po largohej. Dhe përderisa po largohej, pa një djalosh ulur në një tavolinë pikniku dhe vërejti edhe të tjerë, duke shkruar në mesazh “dikush na përcolli dhe hyri”. Në 17:38, Crooks u zhvendos nga tavolina dhe shkoi në depo, në ndërtesën e “American Research Glass”, dhe fotografitë e tij ishin shpërndarë në një grup komunikimi.

Në mesazhe pastaj bëhej e ditur se djaloshi kishte pamje të qartë kah skena. Në një mesazh kërkohej që të njoftoheshin snajperistët pasi njëri prej pjesëtarëve të sigurisë thotë se më nuk po e vërente djaloshin.

Në mesazhe tjera, të siguruara nga CBS, partnere e BBC-së, tregohet se në 17:51, një fotografi e Crooksi i ishte përcjellë një zyrtari lokal policie, i cili thoshte se komandantët po kërkonin “drejtimin e udhëtimit”.

Pas 20 minutash, Crooks u qëllua për vdekje nga Shërbimi Sekret pasi kishte shtënë nga pullazi i një depoje ngjitur/BBC