
Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com
Trilleri paszgjedhor dhe kalkulimet "prapa perdeve” për krijimin e qeverisë së re
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të 9 shkurtit e kanë nxjerrë sërish Lëvizjen Vetëvendosje si partinë e parë në vend, por lideri i saj Albin Kurti, qysh në minutat e parë të 10 shkurtit ka paralajmëruar se qeverinë e re do ta krijojë vetëm me partnerët e koalicionit: Partinë Guxo dhe Alternativën si dhe me komunitetet pakicë- përjashtuar Listën Serbe. Megjithatë, me 40.84 % të votave apo me 47 ulëse aq sa pretendohet t’i zë në Kuvend pas krijimit të legjislaturës së re, LVV parashihet se nuk do ta ketë të lehtë t’ia arrijë këtij synimi.
Partia Demokratike e Kosovës e cila sipas rezultateve preliminare ku nuk përfshihen votat e diasporës, ato me kusht dhe votat e personave me aftësi të kufizuara ka marr 22.05 për qind të votave dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila në bazë të këtyre rezultateve ka fituar 7.45 për qind të votave, janë shprehur publikisht për një Qeveri të opozitës. Ndërkohë, edhe Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, e cila sipas rezultateve preliminare ka fituar 17.67 për qind të votave, ka deklaruar se ky nuk është “rezultat ndryshimi”, por se LDK-ja e respekton atë pasi “marrja e pushtetit nuk është qëllim me çdo kusht” i kësaj partie.
Në këto rrethana paszgjedhore, Dritëro Arifi, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare pret që Qeveria e re të jetë mes Vetëvendosjes dhe partive politike të pakicave joserbe, gjithnjë nëse përmbushet kuota prej 61 deputetësh. “Nëse nuk arrin Vetëvendosje [numrin 61] do të mundohet që të ‘peshkoj’ ndonjë deputet nga opozita, që ta joshë me ndonjë pozitë”, thotë ai për KALLXO.com.
“Në fund të fundit, nëse mbetet shumë ngushtë kjo çështje, atëherë mund të shkojnë edhe me ndonjë serb nga Lista Serbe ose nga ndonjë parti tjetër që të mund të mbulojnë, të arrijnë tek shifra 61 deputetë” – thotë Arifi për KALLXO.com.
E, sipas sociologut Artan Muhaxhiri, formati i ri zgjedhor ka prodhuar “triller politik”.
Versioni kosovar i ‘Game of Thrones’
Për të ndërtuar një Qeveri të re, sipas Muhaxhirit duhen kompromise dhe ndryshime radikale qëndrimesh pa marrë parasysh se kush i bën 61 deputetë.
“Do të jetë versioni kosovar i ‘Game of Thrones’, me mjegullim të kufijve mes joshjes nga pushteti, interesave për mbijetesë, testimit të aleancave dhe ambiguiteteve morale. Përtej sigurimit të numrave, Lëvizja VETËVENDOSJE! problemin më të madh do ta ketë me Nenin 96 të Kushtetutës, sepse patjetër do t’i duhet ta arrijë një marrëveshje të çfarëdollojtë me Listën Serbe. Do t’i nevojitet një shkop magjik për ta kapërcyer ylberin mes tentimit për pamundësim të pjesëmarrjes në zgjedhje të LS-së, si dhe cilitdo bashkëpunim qeveritar për ta plotësuar kriterin kushtetues” – thotë Muhaxhiri.
Tutje, ai thotë se vështirësi serioze do jetë për opozitën tejkalimi i egoizmave dhe ideve për maksimalizim të përfitimeve individuale e partiake.
“Gjëja më e tmerrshme për ta do të ishte që të riktheheshin në stilin e PAN-it, pasojat e të cilit janë duke i vuajtur edhe sot” – shton ai.
Kushdo që do të mund të formojë Qeverinë e re, ajo nuk pritet të ketë jetëgjatësi.
Arsyeja kryesore që pritet të sjellë zgjedhje të reja- të parakohshme është zgjedhja e Presidentit në vitin 2026.
“Jemi në parapërgatitje për zgjedhje të jashtëzakonshme që prapë do të mbahen në vitin e ardhshëm sepse ky jostabilitet që është krijuar edhe në imagjinatën e Vetëvendosjes, faktikisht e shtyn vendin në një krizë të pafund duke u përgatitur për zgjedhjet e jashtëzakonshme në vitin e ardhshëm, për shkak se asnjëra parti nuk i ka 80 deputetë që qëndrojnë në sallë për të mos shkruar në zgjedhje të jashtëzakonshme kur të vije zgjedhja e Presidentit” – thotë Arifi.
Qeveria e opozitës do të ishte ‘ishullore’, konsideron nga ana tjetër, Muhaxhiri. Kjo për shkak se do të kishte autonomi të ministrive pa autoritet orientues të gjithëpranueshëm.
Ushtrimi i pushtetit do të konsiderohej si ndërhyrje dhe do rrezikonte shpërbërjen e kabinetit qeveritar, thotë ai.
“Natyrisht që kjo qasje do ta zbehte efikasitetin vendimmarrës harmonizimet ndërministrore. Prandaj, në secilin skenar, qeveria e ardhshme – kushdo që ta formojë – do të jetë jostabile dhe pa gjasa për ta çuar mandatin deri në fund. Përveç problematikave fillestare, edhe sfidat do të jenë të jashtëzakonshme: dialogu, Asociacioni, regjenerimi i raporteve me SHBA-të dhe BE-në, urgjencat e projekteve socio-ekonomike, etj. Gjithsesi, opsion realist është edhe shkuarja në zgjedhje të reja, si mundësi për tentim të ndryshimit më domethënës të balancave në favor të njërës prej palëve, rrjedhimisht edhe lehtësimit të vendimmarrjes. Pa asnjë dilemë, ky peizazh politik tregon që Kosova do të kalojë nëpër të njëjtën situatë shumë të komplikuar edhe gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit/presidentes” – deklaron Muhaxhiri për KALLXO.com.
Lakimi i emrave për kryeministër
Një komunikim se kush mund të jetë kryeministër i mundshëm nga blloku i partive që kanë qenë në opozitë gjatë legjislaturës së fundit është bërë publik të ketë ndodhur mes dy eksponentëve që para disa vjetësh kanë qenë pjesë e PDK-së: Petrit Selimit dhe Berat Buzhalës.
Selimi në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se biseda private bëhen çdo ditë në çdo tavolinë dhe se ato nuk përbëjnë lajm, teksa ka mohuar që është i përfshirë në bisedime mes PDK-së e LDK-së për të formuar një Qeveri të opozitës.
“Nuk jam zyrtar i PDK që nga 2016. Pra rrumbullak 9 vjet s’kam funksione partiake dhe as nuk përfaqësoj në asnjë forum dhe interaksion asnjë parti. Por ja që jetojmë në kohëra dhe nën një regjim ku konspiracioni, gënjeshtra, polarizimi dhe zbulimi i armiqve të brendshëm dhe jashtëm është zëvendësim për qeverisje. Copëza bisedash private çfarë bëhen çdo ditë, në çdo tavolinë mes mijëra qytetarëve të brengosur për drejtimin ku po shkojmë, nuk përbëjnë lajm dhe as që i komentoj…” – është përgjigj me shkrim Selimi.
Gjatë bisedëa me Buzhalës në WhatsApp, Selimi ndër tjera thotë se mundet edhe Vlora (Çitaku) me qenë kryeministre, ndërsa Berat Rukiqi (kandidat për deputet nga LDK) si zëvendëskryeministër.
Në fund të bisedës, ai i thotë Buzhalës se do të ishte mirë me i thënë Lumir Abdixhikut, kandidat për kryeministër nga LDK, që mos të merret me qëndrime për disa ditë.
Për këto biseda ka folur edhe Berat Buzhala i cili në emisionin ‘Rubikon’ i cili i ka kërkuar falje Cakës dhe Shalës.
“Unë i kërkoj falje Gresa Cakës, me të cilën unë s’jam parë tash e 6-7 vjet, ndoshta edhe më shumë. Por edhe z. Shala, që unë kam folur privatisht me një shok timin që e njoh tash e 25 vjet. Kemi përmendur emra, qysh përmend emra njeriu pas zgjedhjeve” – ka deklaruar Buzhala.
PDK e LDK nuk duan që dikush tjetër të flas në emrin e tyre
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e pyetur në një konferencë për media për emrat e përmendur nga Selimi, më 12.02.2025 tha se partia e saj ka vetëm një kandidat për kryeministër – atë me të cilën garoi në zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025 – Bedri Hamzën.
Ajo tha se do të vazhdojnë me Hamzën edhe nëse shtrohet nevoja që të krijojnë Qeverinë.
“Është shumë herët dhe unë nuk jam personi i autorizuar të flas. Ne kemi vetëm një kandidat për kryeministër. Me të kemi garuar dhe ai do të përfaqësojë bashkë me kryetarin e partisë, Memli Krasniqin, qëndrimet e PDK-së në bisedimet eventuale që do të mbaheshin vetëm pas përfundimit dhe certifikimit të rezultatit zgjedhor”- tha ajo.
Kurse në pyetjen tjetër të KALLXO.com se a i është kërkuar LDK-së nga PDK-ja, saktësisht kandidatit të LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, mos të japë qëndrime gjatë kësaj kohe, ajo tha se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.
“Nuk kemi pasur asnjë lloj kërkese dhe ne nuk kemi ne atë rol. Roli jonë është që të koordinojmë punët tona”- u përgjigj ajo.
Kurse në pyetjen tjetër se a e bën PDK-ja komunikimin me LDK-në përmes “ndërmjetësve”, ajo u përgjigj shkurt se PDK-ja i ka strukturat e veta.
“PDK ka strukturat e saj, ka Kryesinë, ka kryetarin, sekretaren e përgjithshme dhe ne jemi ata që komunikojmë me partnerët eventualë të koalicionit pas certifikimit të rezultatit”- tha ajo.
Indiferent ndaj kalkulimeve jashtë “tavolinave zyrtare” nuk ka qëndruar as lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Vërtetë doja të prisja numërimin e rezultateve – edhe plot 100 mijë votave të tjera – para se të nisnim diskutimin paszgjedhor; por në gjithë helmim e vrerin politik të tanishëm edhe pritja e një gjëje bazike duket e pamundur”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka thënë se do t’i respektoj preferencat e qytetarëve sepse “nuk di ndryshe!”.
“Qëndrimet e mia e të LDK-së paraelektorale mbeten edhe zotime të sotme. Le të mësohemi me një politikë ku mbajtja e fjalëve është standard bazik e ku marrja e pushtetit me çdo kusht nuk është qëllim!”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas përditësimit të fundit të bërë nga KQZ më 12.02.2025 në ora 22:12 janë numëruar 99.72 për qind e votave për subjektet politike që morën pjesë në zgjedhjet e 09.02.2025.
Nga rezultate aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.