Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: Gjykata Themelore e Gjilanit

Tridhjetë ditë paraburgim të dyshuarit për sulm ndaj zyrtarëve policorë

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit A. I.

Sipas njoftimit të Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se më datë 04.07.2021, në ora 00:15 minuta, në rrugën “Muharrem Ibrahimi”, në Gjilan, i pandehuri ka sulmuar personat zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, deri sa të dëmtuarit, zyrtarët policorë F. S. dhe G. A., kishin kërkuar nga i dyshuari i dytë A. I., që të largonte veturën dhe i kishin kërkuar dokumentet e nevojshme për qarkullim në rrugë publike, në ato momente ka ndërhyrë i dyshuari i parë A. I., i cili i kishte thënë vëllait të tij A. I., që të mos i dëgjonte urdhrat e zyrtarëve policorë.

Sipas Gjykatës të pandehurit i kishin shtyrë zyrtarët policorë, duke i fyer me fjalë të rënda, e më pas edhe i sulmojnë, me ç’rast policët detyrohen të kërkojnë tretman mjekësor.

Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që aplikimi i masave të tjera do të ishte i pamjaftueshëm për zbatimin sa më suksesshëm të procedurës penale”, përfundon njoftimi i Gjykatës së Gjilanit.