Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: KALLXO.com

Tridhjetë ditë paraburgim të dyshuarit për dhunim

Për të dyshuarin për kryerje të dhunimit me inicialet B.B., Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se, ekziston dyshimi i bazuar se nga data 24.07.2021, rreth orës 22:00, në hyrje të fshatit Livoç i Poshtëm, Komuna e Gjilanit, përkatësisht në Motel “Kasabllanka”, dhe me datë 25.07.2021 deri ora 06:00 në shtëpinë e të pandehurit në Gjilan, i pandehuri në vazhdimësi me anë të torturës apo trajtimit çnjerëzor, ka detyruar personin – tani të dëmtuarën M. A., që të kryej akt seksual.

Tutje në njoftim thuhet se, dhunimi kishte ndodhur në atë mënyrë që posa kishin hyrë në njërën nga dhomat e këtij moteli dhe në shtëpinë e tij, i dyshuari menjëherë kishte filluar ta godas disa herë të dëmtuarën me rrip të pantallonave nëpër pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime trupore, e më pas e kishte detyruar që të kryej akt seksual, duke e kanosur në zbulimin e ndonjë fakti që do ta dëmtonte rëndë nderin e saj, dhe e detyroi të dëmtuarën që të kryejnë akt seksual.

Sipas Gjykatës, me këto veprime, i pandehuri dyshohet se kanë kryer veprën penale “dhunim” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit, pasi që ka vlerësuar se këto rrethana janë të mjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale, duke marr parasysh edhe dënimin për këtë vepër që parashihet nga prej 5 deri në 15 vite burgim.