Seanca ndaj inspektorit të dyshuar për ryshfet FOTO-Fitim Limani/KALLXO.com

Tridhjetë ditë paraburgim inspektorit të ATK-së në Gjilan, i dyshuar për marrje ryshfeti

Gjykata  në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit Bajrush Bunjaku, i dyshuar për marrje të ryshfetit.

Kujtojmë se dje së bashku me inspektorin Bunjaku ishte arrestuar edhe drejtori i ATK-së për rajonin e Gjilanit, Alban Qerimi, por pastaj i njëjti ishte liruar në procedurë të rregullt.

Kurse gjatë ditës së sotme ishte mbajtur seanca dëgjimore ndaj të pandehurit Bunjaku, ku i njëjti së bashku me mbrojtësin e tij e kundërshtuan kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke kërkuar nga Gjykata një masë më të butë.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Bajrush Bunjaku, më 17 mars, në një kompani në Gjilan, në cilësinë e personit zyrtar, inspektor i ATK-së, në mënyrë të drejtëpërdrejt ka pranuar përfitim pasuror në shumën prej 2.000 euro nga i dëmtuari i cili është pronar i kompanisë.

Tutje sipas Prokurorisë, gjatë kontrollit zyrtar nga ana e ATK-së, kinse janë gjetur parregullsi në biznes dhe dënimi për kompaninë do të jetë 30.000 euro. Gjithnjë sipas Prokurorisë, i dyshuari fillimisht ka kërkuar shumën prej 5.000 euro por nga to ka pranuar shumën 2.000 euro për t’ia rregulluar dhe mbyllur vitin fiskal të dëmtuarit në mënyrë që kompania e njëjtë mos të dënohet në shumën prej 30.000 euro.

Inspektori i ATK-së i dyshuar për ryshfet del para gjykatësit