Tri vjet burgim për therjen në Mitrovicë

Shaqir Mustafa është dënuar me tri vjet burgim nga Gjykata e Mitrovicës pasi nën motivin e një konflikti për një derë shtëpie theri me thikë Elez Xhibegjinë.

Akuza e Prokurorisë së Mitrovicës thotë se në shtator të vitit 2018 në Vushtrri, Shaqir Mustafa me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj të dëmtuarit Elez Xhibegjisë.

Vepra është kryer në atë mënyrë, që i akuzuari Shaqir Mustafa pasi që ngjitet në pastiqerinë “Drini” në Vushtrri, pronë e të dëmtuarit, ku kishte pasur një fjalosje me të dëmtuarin rreth derës së shtëpisë së tij, ndërsa i akuzuari iu kishte drejtuar me fjalët “Pse ma keni hapur derën e shtëpisë së vendit ku banoj?“.

I dëmtuari sipas akuzës e kishte shtyrë lehtësisht të pandehurin që ai të dalë nga lokali, por i pandehuri e kishte goditur të dëmtuarin me thikë, raporton kallxo.com.

Elez Xhibegjiu kishte marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa më pas ishte dërguar në emergjencë.

Më këtë Shaqir Mustafa kishte kryer veprën penale vrasje në tentativë

Kjo është hera e dytë që Gjykata e gjykon këtë çështje.

Në gjykimin e parë Mustafa ishte dënuar me tri vjet e 6 muaj burgim ndërsa pas ankesës Gjykata e Apelit e ktheu çështjen në rivendosje.