
Prishtina
Tri vendbanime të Prishtinës dalin nga karantina
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se kanë dalë nga karantina tri lokacionet, përderisa kryeqyteti vazhdon të jetë i izoluar.
“Pas diskutimit me Ministrin e Shëndetësisë dhe pas rekomandimeve të IKSHP, kompleksi Rrezja dhe dy pika të tjetra që kanë qenë vatra të epidemisë sonte dalin nga karantina. I falënderojmë të gjithë për kufizimin e përhapjes në ato pjesë. Banorët e kanë thënë më së miri në këtë foto. Falënderoni miqtë, anëtaret e familjes, fqinjët të cilët janë në vijën e parë”, ka shkruar Ahmeti në rrjetin social “Facebook”.
Ahmeti ka postuar edhe një fotografi të posterit të vendosur nga ballkoni i ndërtesës në të cilën është shkruar “Faleminderit Polic!”
Rruga “Ndue Perlleshi” në Mati 1, rruga “Lidhja e Prizrenit” në Tophane dhe Veterniku ishin shpallur vatra të përhapjes së infeksionit COVID-19 nga Ministria e Shëndetësisë.
Sot në nivel vendi janë konfirmuar 9 raste me COVID-19.
Numri në total ka arritur në 799 prej tyre, 249 të shëruar dhe 22 të vdekur.