Tri sindikata paralajmërojnë veprime në rast se nuk i marrin pagat me rritje

Tri sindikata pothuajse me numrin më të madh të anëtarëve, do të mblidhen nesër për të diskutuar për Ligjin për Paga dhe për veprimet sindikale që ata mund t’i marrin në rast të mos rritjes së pagave përmes ligjit që ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti.

Kështu kanë bërë të ditur për media, përmes një komunikate të përbashkët, Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë e Kulturë si  dhe Sindikata e Policisë së Kosovës.

“Te tre Këshillat Drejtues nesër do të mblidhen dhe do të diskutojnë situatën aktuale, nëse pagat nuk merren me Ligjin e ri të Pagave, se cilat do të jenë veprimet sindikale duke respektuar fuqishëm zërin e anëtarësisë të cilën përfaqësojnë”, thuhet në komunikatën e përbashkët të këtyre tri sindikatave.

Këto sindikata, përmes komunikatës i kanë kërkuar spektrit politik që të gjejnë zgjidhje që punëtorët t’i marrin pagat me rritje në fund të këtij viti, ashtu siç është pritur.

Institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Paga në Sektorin Publik.

Avokati i Popullit ka konsideruar se ky ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij.

Ligji i ri i pagave është miratuar këtë vit në Kuvendin e Kosovës, dhe ka hyrë në fuqi që nga 1 dhjetori.

Ligji për Paga dërgohet në Gjykatën Kushtetuese