Ilustrim

Tri raste të falsifikimit të parasë raportohen në 24 orët e fundit

Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit kanë pranuar tri raportime për dyshime për falsifikim të parave.

Dy nga këto raste, sipas Policisë kanë ndodhur në Prishtinë, ndërsa rasti i tretë në Han të Elezit.

Sipas njoftimit të Policisë, në rastin e parë një ankues ka thënë se i dyshuari kishte bërë pagesë më një kartëmonedhe prej 100 eurosh, që dyshohet të jetë e falsifikuar.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur më 31 tetor 2022 rreth orës 09:00 në kryeqytet.

Policia tha se monedha e dyshuar është konfiskuar si provë materiale dhe se rasti është në procedurë hetimore.

Rasti i dytë i falsifikimit të parasë në kryeqytet, u raportua të ketë ndodhur më 28 tetor 2022, rreth orës 10:00.

Sipas njoftimit, ankuesi ka thënë se kishte hasur në një monedhë prej 50 euro të falsifikuar, monedhë e cila u tha se është konfiskuar dhe se rasti është duke u hetuar.

Tutje u tha se rasti i tretë ka ndodhur në Hani të Elezit, dje, 31 tetor 2022, rreth orës 15:00.

Gjithmonë duke iu referuar raportit policor, ankuesi raportohet të ketë thënë se persona të panjohur kanë deponuar para të falsifikuara.

Këto monedha u tha se janë konfiskuar dhe me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.