Ilustrim

Tri raste të dhunës në familje u raportuan brenda 24 orëve

Policia e Kosovës (PK) njofton se brenda 24 orëve janë raportuar tri raste të dhunës në familje.

Në orët e vona të mbrëmjes është arrestuar një person pasi që i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.

Sipas Policisë, rasti ka ndodhur në Deçan dhe se viktima ka pranuar tretman mjekësor.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, njofton Policia.

Rasti i dytë i raportuar është nga Rahoveci.

Policia njofton se është arrestuar një person pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit ka kanosur gruan e tij.

Me vendim të prokurorit, siç njofton Policia, i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Ndërsa rasti i tretë është një person nga Prishtina i cili sipas Policisë dyshohet se nga fillimi i vitit ka ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së tij.

I dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.