Policia e Kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Tri raste të dhunës në familje raportohen brenda një dite në Kosovë

Tri raste të dhunës në familje janë raportuar në Polici në 24-orët e fundit. Si rrjedhojë, një person është arrestuar dhe dy të tjetër janë në kërkim policor.

Policia ka njoftuar se një rast i dhunës në familje ka ndodhur në Prishtinë.

“Viktima femër shtetase e huaj ka raportuar se bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull shtetas i huaj ka ushtruar dhunë psikike- kanosje  ndaj saj dhe fëmijëve të tyre”- thuhet në raportin e publikuar më 27.11.2024.

Sipas policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe me vendim të prokurorit, bashkë me fëmijët e saj është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është në kërkim policor.

Siç njofton Policia, rasti tashmë është në procedurë hetimore.

Një rast tjetër, sipas Policisë ka ndodhur në Fushë-Kosovë.

“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull kosovar, e kishte sulmuar fizikisht”- thuhet në njoftim.

Viktima, sipas Policisë, ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari gjendet në kërkim policor.

Kurse, rasti tjetër është raportuar në Pejë.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje e kishte kanosur dhe sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare- bashkëshorten e tij”- thuhet në njoftim

Policia thotë se viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor.

Ndërsa, i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.