Ilustrim - Pistoleta e sekuestruar - Foto: Policia e Kosovës
Tri raste të armëmbajtjeve pa leje në rajonin e Prishtinës, Policia konfiskon pistoleta dhe fishekë
Tri raste të armëmbajtjeve pa leje janë regjistruar më 17 dhe 18.08.2024 vetëm në rajonin e Prishtinës.
Nga këto raste janë konfiskuar katër pistoleta si dhe disa fishekë e gëzhoja plumbash.
Sipas raportit policor të datës 19.08.2024, rasti i parë i raportuar ka qenë në rrugën “Shemsi Mramori” në Prishtinë më 17.08.2024 në 23:55h.
Policia njofton se me këtë rast janë arrestuar dy persona nën dyshimin se në një aheng kanë shtënë me armë zjarri.
Gjatë kontrollit te të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar dy pistoleta dhe 8 gëzhoja, e se me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i dytë i raportuar është thënë se ka ndodhur në rrugën “Taulantia” në Prishtinë më 18.08.2024 në 11:20h.
Policia bën të ditur se është arrestuar një burrë pasi që dyshohet që i njëjti ka ekspozuar një armë.
PK thekson se gjatë kontrollit te i njëjti është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 10 fishekë.
“I dyshuari pasi intervistimit dhe verifikimit ka rezultuar se ka urdhër arrest aktiv të gjykatës për të cilin njësia policore ka vazhduar sipas procedurave paraprake” – u tha tutje.
Ndërsa rasti i tretë i raportuar ka ndodhur në fshatin Çagllavicë në Graqanicë më 18.08.2024 në 21:03h.
Një burrë është thënë se është arrestuar pasi që gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 10 fishekë.
Policia tregon se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.