Tri organizatat joqeveritare që përfituan subvencione nga Zyra e Kryeministrit pa i plotësuar kriteret

Zyra e Kryeministrit u ka dhënë subvencione në vlerë prej 71 mijë eurosh tri organizatave joqeveritare, të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret.

KALLXO.com ka raportuar për këtë gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditimit në raportin vjetor financiar për ZKM-në, për vitin 2020, të publikuar këtë vit.

KALLXO.com ka kërkuar qasje në dokumente publike në Zyrën e Kryeministrit për të kuptuar se cilat janë organizatat që kanë përfituar nga subvencionet.

Njëra organizatë ka përfituar 20 mijë euro, tjetra 24 mijë euro dhe e treta 27 mijë euro.

Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, më 6 tetor 2020 ka nënshkruar kontratë për ndarjen e fondeve me Organizatën Joqeveritare “Equal to Equal E2E” me adresë në veri të Mitrovicës.

Projekti titullohet “Shkolla e vallëzimit modern dhe latin përmes pjesëmarrjes dhe mediave” dhe vlera e përgjithshme  e kësaj kontrate ka qenë 20 mijë euro.

Dhënia e projektit për organizatën në fjalë është bërë nga Ivan Milojevic, drejtor i Zyrës për Çështje të Komuniteteve si dhe është nënshkruar nga Habiba Busevac, menaxhere e projektit dhe person i autorizuar nga organizata.

Organizata tjetër që ka përfituar subvencion nga Zyra e Kryeministrit është “Inicijativa mladih sela Kuzmin” apo Inicitiva iniciativa e fshatrave të rinj Kuzmin, me adresë në Kuzmin të Fushë Kosovës.

Emri i projektit ka qenë “Forcimi i kapaciteteve të këshillave rinore dhe bashkëpunimi me autoritetet vendore”.

Dhënia e projektit për organizatën në fjalë është bërë sërish nga Ivan Milojevic, drejtor i Zyrës për Çështje të Komuniteteve si dhe nga personi i autorizuar i organizatës Aleksandar Cirkovic.

Ndërkaq shumë prej 27 mijë eurosh subvencion ka përfituar Organizata joqeveritare “Practice Youth” me seli në Graçanicë.

Projekti me të cilin organizata përfitoi mjetet financiare është “Forcimin e aktivizmit artistik të të rinjve”.

Ivan Milojevic, drejtor i Zyrës për Çështje të Komuniteteve ka nënshkruar dhënien e subvencionit për këtë organizatë,  dhe drejtori i organizatës Petar Ristic.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për Zyrën e Kryeministrit ka theksuar se ZKM-ja është pajtuar me gjetjen në fjalë se organizatat që nuk kanë plotësuar kriteret kanë përfituar subvencione.