Tri lagje të Prishtinës vatra të përhapjes së COVID-19 (DOKUMENT)

Sot, me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, Prishtina është futur në karantinë.

Në vendimin e MSh-së thuhet se tri lagje të kryeqytetit janë vatra të përhapjes së coronavirus.

“Lagjet Mati 1 (Rruga Ndue Perlleshi), Tophane (rruga Lidhja e Prizrenit) dhe Veternik në Komunën e Prishtinës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, janë shpallur vatra të përhapjes së infeksionit”, thuhet në vendim.

Sot, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Prishtinë janë konfirmuar 20 raste si të infektuar me COVID-19.

Pak më herët, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, njoftoi për hyrje-daljet në kryeqytet.

Ai tha se ato mund të kalohen vetëm me një leje nga MPB.

“Në ato hyrje/dalje mund të kalohet vetëm me leje speciale nga MPB. Edhe nesër vlen qarkullimi i lejuar brenda Prishtinës deri ne ora 17 për ata që kanë nevojë të dalin. Prej të hënës Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar masa tjera që vlejnë për krejt territorin e Republikës së Kosovës. Besoj që ato masa do ti shpjegojnë në ora 12:00, nesër e diele”, deklaroi ai.