Tri komunat e prekura sot me COVID-19

Komuna e Vushtrrisë, ajo e Prizrenit dhe Malisheva janë tri komunat në të cilat janë konfirmuar 12 rastet e reja me coronavirus.

Në Vushtrri më saktësisht në fshatin Stanovc janë konfirmuar gjashtë raste, në fshatin Gërnçar të Komunës së Prizrenit, pesë raste ndërsa një rast i ri është konfirmuar edhe në Komunën e Malishevës më saktësisht në fshatin Mirushë.

Njoftimin për rastet e reja e ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Gjithashtu IKSHP ka njoftuar se vetëm sot janë shëruar 9 persona të infektuar me coronavirus.

Vetëm në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me  metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 311 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe  gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Numri total i personave të infektuar ka shkuar në 1 mijë e 64 ndërsa të shëruar 829 raste.

Gjithashtu numri i viktimave nga coronavirus sipas statistikave është 30.

Nga data 08 shkurt  deri më 29 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 14.635 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 .

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 29 maj 2020 sipas Ëorldometers, janë raportuar gjithsej 5.950.089 raste të COVID-19 dhe 362.989 raste të vdekjes.