Shkolla fillore e mesme e ulët "Hysen Rexhepi", Prizren, Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com
Tri javë pa ngrohje për shkak të projektit të MAShTI-t, funksionalizohet nxemja qendrore në shkollën e Prizrenit
Pas raportimit të KALLXO.com, shkolla pothuajse 40-vjeçare që ndodhet në lagjen Ortakoll të Prizrenit, “Hysen Rexhepi” që kaloi tri javë pa nxemje, sot, më 23.11.2024, nxemja i është funksionalizuar.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, drejtoresha e shkollës fillore të mesme të ulët “Hysen Rexhepi”, Lumnije Rakaj.
Tashmë nga e hëna, më 25.11.2024, nxënësit do të vazhdojnë mësimin me orar të rregullt në shkollën “Hysen Rexhepi”, pasi për shkak të temperaturave të ftohta, drejtoria e shkollës e këshilli drejtues i saj u detyruan që ta shkurtojnë një orë të mësimit deri në 35 minuta.
Ndërtimi i sallës së Edukatës Fizike dhe ngrohtores në oborrin e shkollës me një projekt nga Ministria e Arsimit u bë shkak që shkolla “Hysen Rexhepi” t’i kalojë tri javë pa ngrohje.
Ministria e Arsimit nuk ka dalur në terren para ndërtimit të sallës së Edukatës Fizike dhe ngrohtores së shkollës “Hysen Rexhepi” dhe ka planifikuar që salla të ndërtohet në vendin ku ndodhej objekti i kaldasë së vjetër të shkollës.
Kompania “NPN EUROING” SH.P.K, që po e ndërton sallën e Edukatës Fizike dhe ngrohtores së shkollës “Hysen Rexhepi” i ka thënë KALLXO.com se pas nënshkrimit të kontratës më 21.06.2023, kur ka dalur në terren menjëherë e ka njoftuar Ministrinë e Arsimit se duhej të rrënohej kaldaja e vjetër e shkollës për ta ndërtuar sallën.
Ministria e Arsimit po e arsyeton mosdaljen paraprake në terren se ishte koordinuar me Komunën e Prizrenit, rrjedhimisht Drejtorinë e Arsimit në Prizren, e cila thonë se e ka caktuar lokacionin e ndërtimit të sallës së shkollës “Hysen Rexhepi”.
Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj- Gutaj tha se Ministria e Arsimit e implementon dhe menaxhon projektin e ndërtimit të sallës dhe ngrohtores së shkollës “Hysen Rexhepi”.
Ndërsa, Këshilli i prindërve i shkollës “Hysen Rexhepi” paralajmëroi se nëse nuk rregullohej problemi i ngrohjes deri të hënën, më 25.11.2024, do të merrnin vendim që mësimi të ndërpritet.
Kaluan tri javë pa ngrohje në shkollën e Prizrenit
Drejtoresha e shkollës “Hysen Rexhepi”, Lumnije Rakaj në një intervistë për KALLXO.com ka treguar se arsyeja e mosfunksionimit të ngrohjes së shkollës për tri javë ishte ndërtimi i sallës së Edukatës Fizike nga Ministria e Arsimit.
Sipas Rakajt, ata kanë një sallë të vjetër të Edukatës Fizike që e shfrytëzojnë me shkollën fillore të mesme të ulët “Abdyl Frashëri”, pasi të dyja shkollat ndodhen në një oborr e bashkë me to edhe Drejtoria e Arsimit në Prizren.
Për shkak të gjendjes me ngrohjen, Rakaj kishte treguar se i kanë lëshuar disa klima në disa klasa, e disa nxemje tjera në korridoret e shkollës.
“Ky projekt ka filluar në vitin e kaluar. Normal që është bë ku ka qenë nxemja aktuale më herët, është bë demolimi i nxemjes. Ka qenë me dru, tash është kthy me pelet. Shkolla pa ngrohje, është gati tri javë po bahen. Klasat nuk kanë qenë të ftofta deri dje [20.11.2024] me fol realitetin. Ju tregova që i kemi klimat, nuk i kemi në të gjitha klasat. Jemi mundu që ta bëjmë fuzionimin e nxënësve” – kishte deklaruar Rakaj, më 21.11.2024.
“Nga ngarkesat e, që kemi marr dhe në korridor, disa nxemje me kapacitet ma të lartë që m’i ngrohë edhe ambientet edhe korridoret, ato ndonjëherë po bajnë probleme. Po ngarkohet rryma edhe ndonjëherë po ka që klimat nëpër klasa ndonjëherë nuk po bajnë” – ka shtuar Rakaj.
Rrjedhimisht, Rakaj dhe këshilli drejtues i shkollës “Hysen Rexhepi” kishin shkurtuar orarin e mësimit nga 07:30 deri në 17:50, me dy ndërrime, në 08:30 deri në 16:50.
Por, sipas komunikimeve të Rakajt me kompaninë “NPN EUROING” SH.P.K dhe Ministrinë e Arsimit, nxemja qendrore do të funksionalizohej të hënën, më 25.11.2024.
“Jo me orar të shkurtuar. Një orë, në fillim kemi pas 40 minuta, madje 35 minuta. Kështu që sot edhe nesër, të hënën 100% po iu them që nxënësit do të keni ngrohje” – kishte thënë Rakaj.
Në rast se nuk rregullohej nxemja qendrore më 25.11.2024, Rakaj kishte theksuar se do t’i kërkonte Ministrisë së Arsimit që ta lëshonte një vendim që mësimi në shkollën “Hysen Rexhepi” të ndërpritej.
Arben Krasniqi, kryetar i Këshillit të prindërve të shkollës “Hysen Rexhepi” në Prizren, ishte në dijeni se nxemja qendrore e shkollës nuk është duke funksionuar dhe se stafi i shkollës janë munduar që përmes klimave e kondicionerëve t’i krijojnë kushtet optimale për ta zhvilluar procesin mësimor.
“I kemi sqaruar të gjithë prindërit e shqetësuar rreth gjendjeve, arsyeve pse ka mungesë të nxemjeve. Kanë mendu që shkolla po kursen duke mos i lëshu nxemjet qendrore” – ka treguar Krasniqi, më 21.11.2024.
Edhe Krasniqi u shpreh se do të shkonin me ndërprerje të mësimit nëse nuk funksionalizohej nxemja qendore e shkollës “Hysen Rexhepi” më 25.11.2024.
“Nëse moti shkon duke u përkeqësu edhe nëse ngrohja qendrore nuk funksionalizohet natyrisht që është vendimi i Këshillit të prindërve që të shkohet me ndërprerje të procesit mësimor, porse do të refuzojmë kategorikisht që orët e humbura të zëvendësohen ditëve të vikendit apo t’u cënohet e drejta e pushimit, duke ua shkurtuar pushimin dimëror [nxënësve] që të kompenzohen orët” – ka thënë Krasniqi.
Në një bisedë për KALLXO.com, më 21.11.2024, drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj- Gutaj tha se i kishin njoftuar me kohë Ministrinë e Arsimit për pengesat që mund të paraqiten në punimet e tyre në oborrin e shkollës “Hysen Rexhepi”.
“Ministria e Arsimit e implementon edhe e menaxhon projektin, me kohë i kemi njoftu për pengesat që munden m’u paraqitë edhe me pasë kujdes që gjatë punimeve, m’i përshpejtu punimet, që kur fillon sezoni dimëror me qenë gati nxemja qendrore” – ka thënë Veselaj- Gutaj.
Veselaj- Gutaj kishte premtuar se nëse nuk rregullohet nxemja qendrore e shkollës “Hysen Rexhepi” më 25.11.2024, atëherë do t’i ofronin zgjidhje alternative shkollës.
“Në qoftë se nuk ndreqet do të bëjmë zgjidhje tjera alternative si Komunë edhe do të japim vërejtje për Ministrinë e Arsimit, normalisht ata duhet m’i dhanë vërejtje operatorit ekonomik” – tha ajo.
Punët e paparashikuara të MAShTI-t në projektin për ndërtimin e sallës së Edukatës Fizike dhe ngrohtores
Kontrata bazë mes Ministrisë së Arsimit dhe kompanisë “NPN EUROING” SH.P.K për ndërtimin e sallës së Edukatës Fizike dhe ngrohtores së shkollës “Hysen Rexhepi” në Prizren është nënshkruar më 21.06.2023 me vlerë 344,036.01 euro dhe kohëzgjatje dy-vjeçare.
Por, kur kompania ka dalë në terren e ka informuar Ministrinë e Arsimit se rrënimi i kaldasë së vjetër të shkollës nuk është paraparë në projekt e as nuk ka qenë pjesë e kontratës bazë.
KALLXO.com ka gjetur një dokument publik të datës 26.10.2023, në të cilin në Ministri të Arsimit ishte parashtruar kërkesa për pozicione shtesë në projektin për ndërtimin e sallës së Edukatës Fizike dhe ngrohtores së shkollës “Hysen Rexhepi”.
Pozicionet shtesë përfshinin rrënimin e kaldasë së vjetër të shkollës “Hysen Rexhepi” dhe të gjitha materialet e nevojshme për ndërtimin e ngrohtores së re pas rrënimit.
Si rezultat, më 18.12.2023, Ministria e Arsimit ka nënshkruar një aneks kontratë me kompaninë “NPN EUROING” SH.P.K për rrënimin e kaldasë së vjetër, me vlerë 33,969.64 euro.
“Nuk do mund të themi problem, por kemi hasur tek disa punë të paparashikuara si psh. demolimi i kaldatores si dhe me datë 18/12/2023 kemi nënshkruar aneks kontratën mbi këto punë të paparashikuara. Punët e demolimit nuk kanë mundur të fillojnë menjëherë për arsye se aneks kontrata është nënshkruar në fazën kur ngrohja ishte aktive si dhe është dashur që të përfundoj sezoni dimëror dhe menjëherë kompania jonë është angazhuar si dhe me datë 22.04.2024 ka filluar demolimi i kaldatores dhe fillimi i punimeve të sallës sportive” – thuhet në përgjigjen e kompanisë “NPN EUROING” SH.P.K., më 22.11.2024.
KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Arsimit se pse e ka lejuar rrënimin e kaldasë së vjetër të shkollës “Hysen Rexhepi”, nëse kanë qenë të informuar se shkolla nuk do të ketë ngrohje.
“Lejet ndërtimore; pëlqimet apo edhe rekomandimet për rrënime, MASHTI i merr nga komunat përkatëse kurse MASHTI bënë implementimin e kontratave respektive pa hy në mikromenaxhim të komunave” – janë përgjiur nga Ministria e Arsimit, më 22.11.2024.
Bashkë me aneks kontratën, projekti për ndërtimin e sallës së Edukatës Fizike dhe ngrohtores së shkollës “Hysen Rexhepi” kap vlerën 378,005.65 euro.
“Me paraqitjen e çështjes së rrënimit të objektit të vjetër të kalldas si dhe disa pozicioneve tjera të pa përshkruara në paramasën tashmë të kontraktuar dhe që ishin të nevojshme për plotësimin e këtij projekti, kemi aneks kontratën e dt. 18.12.2023 në vlerë prej: 33,969.64 euro, ndërsa kontrata bazë e dt. 21.06.2023 është në vlerë prej: 344,036.01 euro. Në total ky projekt do të kushtojë: 378,005.65 euro” – kanë thënë nga MAShTI.
Megjithatë, Ministria e Arsimit nuk kishte dalur në terren për ta vizituar vendin se ku do të ndërtohej salla e Edukatës Fizike dhe ngrohtorja e shkollës “Hysen Rexhepi”.
“Nuk është vizituar paraprakisht terreni ku do të ndërtohet ky objekt nga ne në MASHTI, sepse MASHTI ka qenë në koordinim pothuajse të përhershëm me DKA-n e Prizrenit dhe nuk është menduar se është e nevojshme të vizitohet lokacioni përderisa komuna i ka këto përgjegjësi duke llogaritur edhe ekspertët që posedon. Nga MASHTI nuk është planifikuar rrënimi i këtij objekti, sepse nuk e kemi pasur të ditur nga komuna si pozicion që kërkohet për rrënim” – është përgjigjur MAShTI.
Sipas Ministrisë së Arsimit, bazuar në planin dinamik dhe kushteve të kontratës për projektin, punimet në sallë duhet të përfundojnë më 20.06.2025, por ata thonë se sipas operatorit ekonomik ky objekt do të përfundojë në tërsi jo me vonë se muaji prill 2025.
Shkolla “Hysen Rexhepi” në Prizren ishte hapur më 1985, ndërsa në vitin shkollor 2024/2025 numëron 803 nxënës dhe ka 22 klasë paralele në tri gjuhë mësimore – gjuhën shqipe, boshnjake dhe turke.