Tri institute shqiptare në Prishtinë, Tiranë e Shkup reagojnë pas njoftimit për akuza ndaj Thaçit e Veselit

Tri Institutit kombëtare, Instituti i Historisë në Prishtinë, Instituti i Studimeve të Historisë Ushtarake në Tiranë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptare në Shkup kanë reaguar pas njoftimit të ngritje të aktakuzave ndaj krerëve të UÇK-së nga ana e Prokurorisë së Specializuar.

Në reagimin që mban firmën e tre drejtuesve të këtyre institucioneve thuhet se angazhimet e faktorëve ndërkombëtarë të kohëve të fundit për rifillimin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, për arritjen e një marrëveshje paqeje, kanë shpërfaqur një disonancë të faktorit Euro-Atlantik si dhe janë shoqëruar me një situatë të presionit ndërkombëtar mbi palët, por presioni për çudi po bëhet në mënyrë shumë selektive.

Më tej në reagim thuhet se në njërën anë po ndodh trajtimi preferencial i Serbisë, e cila vijon betejën kundër pavarësisë së Kosovës, edhe pse në anën tjetër Qeveria e Republikës së Kosovës, nën presionin e fuqishëm ndërkombëtar, hoqi dorë si nga taksa 100% në raport me Serbinë, po ashtu dhe nga zbatimi i masës së reciprocitetit.

“Trysnia më e fuqishme ndërkombëtare është publikimi i propozim-akuzave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, mbështetur nga Dhomat e Specializuara, në të cilën figurojnë emrat e dy nga ish-themeluesit dhe udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: z. Hashim Thaçi, president i Republikës së Kosovës dhe z. Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.  Serbia dhe shumë pjesëtarë të forcave të saj policore-ushtarake, që kanë kryer krime monstruoze të vërtetuara botërisht ndaj mijëra e mijëra shqiptarëve në Kosovë, nuk janë vënë asnjëherë përpara përgjegjësisë ndërkombëtare, përkundrazi ata u shpërblyen dhe u privilegjuan nga kjo e fundit për gjenocidin që e ka kryer në Kosovë”, thuhet në reagim.

Më tej aty thuhet se populli i Kosovës ndjen se po i kufizohet liria dhe të drejtat e tij të arritura përmes rezistencës mbi njëshekullore kundër okupimit serb, po i cenohet arritja më e madhe drejtësia e luftës së UÇK-së dhe fitoret e arritura prej saj në bashkëpunim më Aleancën ngadhënjimtare të Atlantikut të Veriut.

Reagimi flet edhe për luftën e bërë nga UCK-ja për mbrojtjen e popullit; për krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë shqiptare dhe dëmet e pallogaritshme që shteti serb i ka shkaktuar Kosovës.

“Ne si institucione shkencore që merremi posaçërisht me të vërtetën historike, apelojmë që propozim-akuzat të jenë të argumentuara dhe të bazuara në fakte në raport me të vërtetën e dëshmuar dhe jo në disproporcion me të. Pa hyrë në kompetencën e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës, për ne si për këdo që vlerëson dhe respekton të vërtetën, është absurde të lihen krejt në heshtje krimet serbe që patën si rezultat vrasjen e rreth 12.000 civilëve shqiptarë të grup moshave të ndryshme dhe propozim-akuzat të fillojnë me drejtuesit e lëvizjes çlirimtare të këtij populli të shtypur që po i nënshtrohej një fushate të egër të spastrimit etnik, totale e përfundimtare, e cila është konstatuar dhe vërtetuar nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi”, thuhet ndër të tjerash reagimin e tri instituteve e kombëtare shqiptare.