Tri gra viktima të dhunës në familje në 24 orët e fundit në rajonin e Prishtinës

Policia e Kosovës ka raportuar për tri raste të dhunës në familjes të cilat kanë ndodhur në rajonin e Prishtinës vetëm në 24 orët e fundit.

Sipas njoftimit, një rast në Prishtinë është raportuar nga një grua e cila është rrahur mbrëmë nga ish bashkëshorti i saj.

Policia ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:40, derisa i dyshuari ka hyrë në banesën e ish gruas së tij dhe e ka sulmuar atë fizikisht.

Viktima e këtij rasti nuk ka raportuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari për këtë rast sipas policisë gjendjet në arrati.

Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar po ashtu në Prishtinë dje rreth orës 17:50, kur ankuesja ka raportuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë psikike dhe kërcënim ndaj saj.

Sipas viktimës, i dyshuari ka problem psikike, dhe i njëjti sipas policisë është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një grua tjetër është sulmuar pasditen e djeshme nga vëllai i saj në Podujevë.

Në lidhje me këtë rast policia ka bërë të ditur se ka arrestuar të dyshuari i cili ka rrahur motrën e tij, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.