Tri gazetare fitojnë çmimet e BE-së për gazetari hulumtuese në Kosovë
Ceremonia e Bashkimit Europian për Gazetarinë Hulumtuese për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë mbylli ciklin e sivjetmë të mërkurën në Prishtinë, ku tre gazetarë fituan çmimet për hulumtimet e tyre.
Gazetarja Saranda Ramaj fitoi çmimin e parë, me storien më të mirë hulumtuese në vitin 2018 në Kosovë për hulumtimin e saj “Depoja e abuzimit farmaceutik”, të cilën juria e cilësoi si “temë me interes të madh publik” dhe punën e saj si “shumë të guximshme të plotë dhe të vazhdueshme”.
Çmimin e dytë e mori Serbeze Haxhiaj për artikullin e saj hulumtues “Vrasjet Politike të Kosovës, të panddëshkuara, por jo të harruara”.
Në këtë vendim, juria nënvizoi aftësinë e Haxhiajt “për t’u dhënë zë atyre që nuk dëgjohen”.
Çmimi i tretë shkoi për Ardiana Mehmetin për storien “Shfrytëzimi në Telekom”.
Juria ishte e përbërë nga Albana Kasapi, redaktore e programit të Shërbimit Botëror në BBC, si kryetare e jurise, si dhe Lirim Dullovi nga e përditshmja Koha në Maqedoninë e Veriut dhe kryetar i Shoqatës së Mediave të Shkruara në Maqedoninë e Veriut, dhe Arion Sulo kryeredaktor në gazetën Mapo në Shqipëri.
Juria kishte sfidë në zgjedhjen e stories më të mirë nga një numër aplikimesh të shkëlqyeshme. Kryetarja e jurisë Kasapi theksoi cilësinë e lartë të aplikimeve, dhe faktin që shumica e aplikuesve ishin gra.
“Unë jam shumë krenarë për koleget dhe guximin e tyre”, tha ajo. “Ato raportojnë për çështje të rëndësishme në rrethana të pafavorshme, duke marrë storie të raportuara më pak duke filluar nga të drejtat e pakicave, krimet e luftës dhe korrupsioni. Unë e admiroj guximin e tyre dhe shpresoj se ato do të jenë frymëzim për shumë kolegë tanë”.
Riccarro Seri, zëvendës shef në zyrën e BE-së në Kosovë, theksoi se përderisa të gjitha temat hulumtuese për Kosovën janë të rëndësishme, ato gjithashtu janë të rëndësishme edhe për vendet e tjera të rajonit, dhe më gjerë.
“Është e rëndësishme të kuptohet se sa janë të rëndësishëm gazetarët në shoqëri, pa gazetarë nuk ka shoqëri të lirë”, tha Serri, duke theksuar rëndësinë e një media të lirë për BE-në në tërësi.
Pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve u zhvillua një panel diskutimi mbi gazetarinë hulumtuese në Kosovë dhe sfidat e gazetarisë.
Paneli u moderua nga Eraldin Fazliu, redaktor në BIRN. Paneliste tjetër ishte edhe Albana Kasapi.
Në diskutim, fituesit e këtij vitin theksuan rëndësinë e punës së tyre dhe sfidat me të cilat u përballën.
Ardiana Mehmeti foli për betejat me të cilat është përballur gjatë realizimit të hulumtimit të saj për Telekomin. “Ata më pyetën direkt sa (para) të duhet vetëm për ta ndalur punën në këtë hulumtim, m’u shpuan gomat, policia nuk bëri asgjë”, kujtoi ajo.
Ceremonia për gazetari hulumtuese jepet përmes projektit të financuar nga BE “Forcimi cilësisë së lajmeve dhe gazetarisë së pavarur në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi” për vitin 2019, 2020 dhe 2021 dhe realizohet në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni Veriore, Serbi dhe Turqi.
Bëhet fjalë për storiet hulumtuese të publikuara në 2018 – 2020.
Në total, do të jepen 63 çmime për tre vitet e ardhshme.
Çmimet për Kosovë koordinohen nga BIRN Hub, dhe konsorciumi rajonal gjithashtu drejtohet nga Rrjeti Ballkanin për Gazetari Hulumtuese – BIRN Hub.