
Foto: Trepça Sh.A
Trepça rikthen nën menaxhim të gjitha pronat e saj
“Trepça” ka njoftuar se ka bërë rikthimin dhe menaxhimin e pronave të saj, të cilat për dekada me radhë kanë qenë të shpërndara nën 273 emërtime të ndryshme – duke e bërë të vështirë administrimin dhe zhvillimin e tyre pas luftës.
Kështu thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ndërmarrja, më 06.02.2025, ku theksohet se drejtori ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), Avni Ahmeti dorëzoi certifikatat e pronësisë për të gjitha pronat e “Trepça Sh.A.” në duart e Faton Ahmetit, kryeshef ekzekutiv i “Trepça Sh.A.”
Në fazën e procesit sipas tyre 2,133 prona janë bartur zyrtarisht në emër të “Trepça Sh.A.”, ndërsa 12.6 km² tokë është tani e konsoliduar nën pronësinë e Ndërmarrjes.
“Për herë të parë pas luftës po krijohet një regjistër i plotë dhe i detajuar për të gjitha pronat në Kosovë. Ky është një hap thelbësor për transparencën dhe menaxhimin strategjik të pasurisë së Trepçës. Procesi do të vazhdojë edhe më tej për të përfshirë pronat e tjera që ende nuk janë regjistruar – duke siguruar një pasqyrë të qartë dhe të plotë të të gjitha aseteve të Ndërmarrjes.” – thuhet në njoftim.
Trepça këtë e cilëson “arritje historike” dhe hap të rëndësishëm për të krijuar mundësi të reja për investime dhe rritje të qëndrueshme.