Foto: KALLXO.com

"Trepça" në gjendje të jashtëzakonshme, Sveçla nxjerr udhëzim për trajnimin e minandezësve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se me kërkesë të Trepçës dhe me qëllim të rritjes së kapaciteteve nxjerrëse të xehes në Minierën e Stan Tërgut, ka nënshkruar një Udhëzimin Administrativ.

Ai tha se përmes këtij Udhëzimi mundësohet trajnimi dhe çertifikimi i minandezësve nga institucionet tona, aq sa do të jenë të nevojshëm për Trepçën.

“Falënderoj grupin punues që në afat rekord kanë punuar këtë dokument të rëndësishëm që ka adresuar në plotni kërkesat e punonjësve të Trepçës” – tha i pari i MPB-së.

Tutje ai theksoi se si Qeveri do të ndërmarrin çdo hap të nevojshëm që Trepça të ngritët e të zhvillohet.

Ky Udhëzim është nënshkruar në kohën kur ushtruesi i detyrës së kryeshefit të “Trepçës”, Faton Ahmeti ka nënshkruar një vendim me të cilin ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në këtë ndërmarrje publike.

Shkak i kësaj, sipas menaxhmentit është bojkoti i punës nga minatorët nga data 10.07.2024 deri më 15.08.2024.

Përmes këtij vendimi, menaxhmenti synon rikuperimin e gjendjes së krijuar përkatësisht rritjen e sasisë së koncentratit të humbur përgjatë grevës.

Madje, pushimet e planifikuara gjatë muajve shtator, tetor dhe nëntor, pritet të anulohen.

“Të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Trepça Stan Tërg dhe njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Kishinicë dhe Artanë për realizimin e planit të biznesit për sasinë e koncentratit të humbur për ditët e grevës” – thuhet në pikën e parë të vendimit që mban datën 26.08.2024 e të cilin e ka siguruar KALLXO.com.

Në pikën e dytë, vendimi përmend edhe zotimet e menaxhmentit kundrejt Qeverisë së Kosovës.

“Të realizohet plani i veprimit pasi kemi bërë zotim te aksionari për realizmin e planit të veprimit për organizimin dhe subvencionimin sipas vendimit të Qeverisë” – thuhet në pikën dy.

Pika e tretë parasheh edhe pezullimin e pushimeve vjetore.

“Të pezullohen përkohësisht pushimet vjetore të planifikuara për muajt shtator, tetor dhe nëntor 2024” – thuhet në vendim.

Vendimi është arsyetuar duke thënë se përgjatë grevës ndërmarrja ka pësuar humbje të mëdha ndërsa si këshillë juridike është dhënë koha prej tetë ditësh për të gjithë ata që dëshirojnë të bëjnë ankesë.

Minatorët e “Trepçës bojkotuan për më shumë se një muaj në kërkim të pagave pasi ndërmarrja nuk kishte arritur pagesën në kohë.

Qeveria e Kosovës ndau një shumë prej më shumë se 4 milionë euro për këtë ndërmarrje më 14.08.2024, një ditë pasi Sindikata e Pavarur e Minatorëve kishte paralajmëruar protestë para ekzekutivit që drejtohet nga Albin Kurti.