Trepça lidh marrëveshje me ShSKUK-në për përkujdesje të shtuar mjekësore për minatorët
Minatorët e Trepçës tash e tutje do të kenë përkujdesje të shtuar mjekësore në nivelin dytësor dhe tretësor shëndetësor, pasi që Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me Shoqërinë Aksionare “Trepça”.
Një marrëveshje të tillë, ShSKUK kishte lidhur edhe me Policinë e Kosovës, rreth një vit më parë. Kjo ishte konsideruar si e kundërligjshme nga Shoqata e Pacientëve e disa opozitarë, pasi që legjislacioni për shëndetësi parasheh qasje të barabartë në shërbimet shëndetësore për të gjithë qytetarët.
Në njoftimin e ShSKUK-së thuhet se punëtorët e Trepçës do t’i nënshtrohen kontrolleve sistematike mjekësore dhe psikologjike nga ekspertët e ShSKUK-së.
“Në emër të drejtorit të ShSKUK-së, Elvir Azizi, marrëveshjen e zyrtarizoi Dr. Ardian Shefkiu, U.d. drejtor mjekësor, kurse për Sh.A “Trepca”, U.d. kryeshefi ekzekutiv, Faton Ahmeti” – tha ShSKUK në njoftimin e datës 13.12.2024.
Marrëveshja ka afat 3-vjeçar, me mundësi rishikimi.
Përveç QKUK-së dhe shtatë spitaleve rajonale, SHSKUK-ja përbëhet edhe nga qendrat e shëndetit mendor, Qendra Klinike Stomatologjike, Qendra Kombëtare e Telemjekësisë, Qendra Kombëtare e Mjekësisë së Punës, Qendra e Mjekësisë Sportive e Qendra Integruese Rehabilituese e të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë në Shtime.
A është e kundërligjshme marrëveshja mes Policisë dhe ShSKUK-së?