Treni godet për vdekje në Gjermani dy të mitur nga Deçani

Dy vëllezër nga Deçani njëri 13 tjetri 17 vjeçar kanë vdekur sot në Mynih të Gjermanisë si shkak i goditjes nga treni.

Sipas mediave gjermane, të miturit ishin duke kaluar nëpër shina kur ishin goditur nga treni. Ndërsa dëshmitarët kanë treguar se treni kishte bërë përpjekje për t’u ndalur por nuk kishte mundur.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj ka shprehur ngushëllimet familjes si dhe ka njoftuar se Ambasada në Berlin është në kontakt me familjen.

“Me rastin e vdekjes tragjike të personave B.A. dhe H.A. (13 dhe 17 vjeçar) në Gjermani, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për prindërit e familjarët, si dhe qytetarët e Deçanit dhe Kosovës.  Ambasada e Kosovës në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Bavari janë në kontakt me autoritetet gjermane për t’u sqaruar kjo tragjedi e rëndë” ka shkruar ajo.

Edhe deputeti Behgjet Pacolli ka reaguar në lidhje me rastin duke e quajtur një tragjedi shumë të rëndë.

“Këtë mëngjes, ajo që nuk guxon të ndodhë ndodhi, dy vëllezër nga Deçani, 13 dhe 17 vjeç, u përplasën për vdekje nga treni në Bruckberg të Gjermanisë. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen, të afërmve dhe miqëve të tyre. Një tragjedi jashtëzakonisht e rëndë! Familjes Zoti ua shtoftë sabrin!”, thuhet në postimin e Pacollit në Facebook.