Presidenti rus, Vladimir Putin

'Tregues të fortë' se presidenti rus miratoi furnizimin me raketa që rrëzoi avionin malajzian 

Një ekip ndërkombëtar hetuesish tha të mërkurën se gjeti “tregues të fortë” se presidenti rus Vladimir Putin miratoi furnizimin me armë të rënda kundërajrore për separatistët ukrainas që rrëzuan avionin malajzian MH17 tmë 2014 me një raketë ruse.

Megjithatë, anëtarët e Ekipit të Përbashkët të Hetimit thanë se kishin prova të pamjaftueshme për të ndjekur penalisht presidentin Putini ose ndonjë të dyshuar tjetër dhe ata pezulluan hetimin e tyre 8-vjeçar për rrëzimin që shkaktoi vdekjen e 298 personave në bordin e avionit Boeing 777 që fluturonte nga Amsterdami në Kuala Lumpur.

Rusia gjithmonë ka mohuar çdo përfshirje në rrëzimin e fluturimit mbi Ukrainën lindore më 17 korrik 2014 dhe ka refuzuar të bashkëpunojë me hetimin ndërkombëtar.

Prokurorët holandezë thanë se “ka tregues të fortë se presidenti rus vendosi të furnizojë” separatistët ukrainas me një sistem Buk raketash, arma që rrëzoi MH17.

“Megjithëse flasim për tregues të fortë, standardi i lartë që duhet arritur që prova të konsiderohet përfundimtare nuk është arritur”, tha prokurorja holandeze Digna van Boetzelaer, duke shtuar se pa bashkëpunimin rus, “hetimi tani ka arritur kufirin e tij. Të gjitha pistat janë ezauruar”.

Ajo tha gjithashtu se, si kreu i shtetit rus, Vladimir Putin do të kishte imunitet nga ndjekja penale në Holandë. Ekipi publikoi një regjistrim të një telefonate të përgjuar në të cilën ata thanë se zoti Putin mund të dëgjohej duke diskutuar për konfliktin në Ukrainën lindore.

“A jemi të zhgënjyer? Jo, sepse ne mendojmë se kemi shkuar më tej se sa kishim menduar ndonjëherë më 2014. A do të kishim dashur të shkonim më tej? Sigurisht, po”, tha Andy Kraag nga policia holandeze.

Ekipi informoi të afërmit e të vrarëve nga rrëzimi i fluturimit MH17 për gjetjet e tyre përpara se t’i bënte ato publike.

“Kishte zhgënjim sepse… ata donin të dinin pse u rrëzua MH17”, tha zoti Kraag.

“Ne jemi vërtet të qartë se çfarë ka ndodhur, por përgjigja e pyetjes pse u rrëzua MH17 mbetet ende në Rusi”.

Zonja Van Boetzelaer tha se ndërkohë që hetimi është duke u pezulluar, linjat telefonike do të mbeten të hapura për dëshmitarët e mundshëm që mund të vendosin ende të japin prova. Nëse kjo ndodh, hetimi mund të riaktivizohet.

Zyrtarët rusë thonë se vendimi për t’u ofruar rebelëve mbështetje ushtarake gjatë verës së vitit 2014 ishte në duart e presidentit rus, Putin.

Një vendim për furnizim me armë madje u shty për një javë “sepse është vetëm një që merr atë vendim (…), personi që është aktualisht në një takim të nivelit të lartë në Francë” tha grupi hetimor, duke cituar një bisedë telefonike që i referohej zotit Putin.

Prokurorët thanë se në atë kohë zoti Putin merrte pjesë në një përkujtim të Ditës D në Francë.

Njoftimi nga grupi hetimor vjen gati tre muaj pasi një gjykatë holandeze dënoi dy rusë dhe një rebel ukrainas për rolet e tyre në rrëzimin e aeroplanit. Një rus u lirua nga gjykata.

Asnjë nga të dyshuarit nuk u paraqit në gjyq dhe mbetët e paqartë nëse tre të cilët u shpallën fajtorë për vrasje të shumta do ta vuanin ndonjëherë dënimin.

Dënimet dhe konstatimi i gjykatës se raketa Buk tokë-ajër erdhi nga një bazë ushtarake ruse u pa si një tregues i qartë se Moska kishte rol në tragjedi. Rusia gjithmonë e ka mohuar përfshirjen. Ministria e Jashtme ruse akuzoi gjykatën në nëntor për përkulje ndaj presionit të politikanëve, prokurorëve dhe mediave holandeze.

Por dënimet e nëntorit thoshin se Moska në vitin 2014 kishte nën kontroll Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetskut, zona separatiste e Ukrainës lindore ku u lëshua raketa. Sistemi i raketave Buk erdhi nga Brigada e 53-të e Raketave Kundër-Ajrore e ushtrisë ruse, me seli në qytetin e Kursk.

Ekipi i Përbashkët Hetimor përbëhet nga ekspertë nga Holanda, Australia, Malajzia, Belgjika dhe Ukraina. Shumica e viktimave ishin holandeze. Ekipi kishte vazhduar të hetonte ekuipazhin e sistemit raketor që rrëzoi aeroplanin dhe ata që urdhëruan vendosjen e tij në Ukrainë./VOA.