Tregu në Kmetovc

Tregu ku nuk ekzistojnë tensionet etnike

Në një mëngjes të ftohtë të dimrit, serbi i Kosovës Dobrivoje Gavriloviç ka zënë një tezgë në tregun e vogël të fshatit të tij të lindjes, Kmetovc, përballë rrugës së zhurmshme që shkon nga komuna e Gjilanit në Serbi.

Ai var disa vargje me speca të thatë në derën e pasme të makinës së tij dhe disa thasë me qepë e patate në tezgën e tij buzë rrugës dhe pret klientët e tij të rregullt.

Ai është serb, por ata janë kryesisht shqiptarë, të njohur me llojet e produkteve që shesin serbët në tezgat e tyre.

Komunikimi midis dy komuniteteve kryesore në Kosovë mbetet i tensionuar – por në tregun e Kmetovcit, si serbët që shesin, ashtu edhe shqiptarët që blejnë, e mbajnë politikën etnike larg tyre.

“Ne jemi fqinjë të mirë, kështu që nuk kam asnjë problem. Nuk kemi pasur kurrë. Ne mbajmë marrëdhënie të mira”, tha Gavriloviç për BIRN.

“Shqiptarët janë klientët e mi kryesorë dhe nuk e kam problem t’ua shesë prodhimet e mia. Ata nuk e kanë problem as të blejnë nga unë”, shpjegon ai.

Tregu, i ndërtuar në vitin 2018, është bërë një destinacion i rregullt për shqiptarët e Kosovës që kërkojnë furnizime me lakra, patate, domate, speca, karota dhe presh.

Suncica Naskoviç ka më shumë se 20 vjet që shet mallrat e saj në këtë vend, duke siguruar një jetesë të mirë prej kësaj.

Ajo punon tokën së bashku me burrin e saj. Përveç Kmetovcit, ajo i shet prodhimet e saj edhe në Gjilan dhe Kamenicë.

“Burri im dhe unë e fitojmë jetesën nga 60 hektarë lakra, 15 hektarë presh dhe gjashtë hektarë fasule”, shpjegon Naskoviç.

“Kam 20 vite që i shes produktet e mia këtu, në Gjilan dhe Kamenicë”, shton ajo.

Përveç shqiptarëve të Kosovës, klientët e saj vijnë shpesh edhe nga përtej kufirit, nga komuna e Bujanocit në Serbinë jugore.

Zoran Naskoviç duke shitur produktet e tij në tregun e Kmetovcit në Kosovë. Foto: BIRN/Shkelqim Xhaqkaj.

Një tjetër pronar tezge për një pjesë të vitit është edhe Zoran Naskoviç – nga korriku deri në shkurt.

Stoqet e tij tani po mbarojnë dhe ka ardhur koha që ai të fillojë të planifikojë për pranverën dhe verën e ardhshme.

“Shumicën e ditëve ne fitojmë 40 deri në 50 euro në ditë, por në kulmin e sezonit mund të fitojmë deri në 100 euro”, thotë Naskoviç.

Shqiptari i Kosovës Shemsedin Latifi, nga Kamenica, prej dekadash blen produkte të besueshme nga tregu.

“Unë blej kryesisht patate, por sot kam ardhur për lakra. Tani është sezoni i turshive”, vëren ai.

“Vij këtu sepse prodhimet këtu janë të sigurta. Unë e di se çfarë po marr”, thotë ai.

Latifi i njeh shitësit serbë këtu që nga fillimi i viteve 1990, madje as lufta brutale e Kosovës e viteve 1998-1999 nuk e prishi rutinën.

“I kam njohur që para luftës dhe marrëdhëniet kanë mbetur të njëjta. Unë kam blerë këtu për më shumë se 20 vjet tashmë … dhe nuk kam asnjë dyshim për cilësinë”, thotë ai.

“Pasi fillova të blija patate këtu, rekomandova të tjerë të vinin dhe t’i blinin këtu produktet e tyre. Të gjithë janë të kënaqur”, vazhdon Latifi.

Kadri Canaj ka ardhur nga Kamenica fqinje për të blerë lakra për sezonin e turshive dhe është gjithmonë i kënaqur me cilësinë. “Gjithçka këtu është prodhim shtëpie, bio. Ata nuk blejnë nga jashtë. Gjithçka është nga duart e tyre”, thotë Canaj.

I riu Lazar Gavriloviç sot ka kaluar disa orë këtu, duke shitur prodhimet e familjes së tij së bashku me të atin. “Ne mbjellim lakra, speca, domate… Vitin e kaluar kishim një hektar lakra dhe 10 hektarë domate”, tregon 22-vjeçari.

Ndërsa dita kalon, prodhimet në tezga zhduken, ndërsa blerësit ngarkojnë bagazhet e makinave të tyre.

Nga pasditja, lakrat e Lozica Jacimoviçit kanë mbaruar. Tani ajo duhet të presë që të shesë mjaltin, patatet dhe sallatën.

“Kjo është ajo periudhë e vitit kur lakra është më e kërkuara”, vëren ajo. “Kam gjashtë vjet që shes prodhimet e mia këtu. Ky ka qenë një vit i mirë, jam e kënaqur me shitjet”, shton Jacimoviç.

Dobrivoje Gavriloviç thotë se nuk do të mund të mbijetonte pa klientët e tij të rregullt shqiptarë. “Tetëdhjetë për qind e blerësve të mi janë shqiptarë. Pa ata, nuk do të mund të punoja dot. Ata janë shumica e konsumatorëve të mi”, thotë ai.

“Ne mund të komunikojmë në të dyja gjuhët. I kuptoj kur flasin shqip, por ata që flasin serbisht nuk hezitojnë ta përdorin atë”, përfundon ai./Reporter.al