Foto: Pixabay

Tre të vrarë nga një sulm në një vendqëndrim të policisë turke

Ministria e Brendshme turke tha se një oficer policie dhe dy gra nga Partia e jashtëligjshme e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, vdiqën gjatë atij që u përshkrua si një sulm terrorist në qytetin jugor të Mersinit.

Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu tha në një konferencë për shtyp në orët e hershme të së martës se dy anëtare të Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, sulmuan vendëqëndrimin e Policisë Tece në Mersin, duke lënë të vdekur një oficer policie dhe një oficer tjetër dhe një civil të plagosur.

Soylu tha se të hënën mbrëma, “dy gra terroriste… sulmuan një vendqëndrim të policisë siç e kishin planifikuar paraprakisht.

“Një përleshje me armë shpërtheu. Ndërsa përleshja vazhdonte, katër roje nate mbërritën menjëherë në vend dhe iu bashkuan përleshjes me armë” – shtoi ai.

Dy oficerë policie dhe një civil u plagosën dhe njëri nga oficerët vdiq më vonë nga plagët e marra në spital.

“Kur ata [militantët e PKK-së] kuptuan se nuk mund të shpëtonin pasi u plagosën, ata hodhën në erë veten” – tha Soylu.

Pas sulmit, në zonë janë dërguar oficerë sigurie, automjete të blinduara, ambulanca, zjarrfikës dhe helikopterë.

Ministria e Brendshme njoftoi gjithashtu identitetin e një prej sulmuesve të dyshuar, i cili është anëtar i PKK-së së jashtëligjshme. PKK nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Turqia, SHBA dhe BE e listojnë PKK-në si një organizatë terroriste.

Që nga themelimi i saj në vitin 1984, PKK ka luftuar për autonominë kurde.

Deri më tani, në përleshjet mes PKK-së dhe forcave turke të sigurisë, kanë humbur jetën më shumë se 40 mijë persona.

Incidenti në Mersin, rreth 465 kilometra në jug-lindje të kryeqytetit Ankara, ishte një nga sulmet e pakta të PKK-së në vitet e fundit.