Ilustrim

Tre të vdekur pas 'shpërthimeve të forta' në Belgorod të Rusisë

Të paktën tre persona u vranë dhe katër u plagosën në një seri “shpërthimesh të forta” që tronditën qytetin e Belgorodit herët të dielën, sipas guvernatorit të rajonit, i cili kufizohet me Ukrainën.

“Aktualisht po përpiqemi të përcaktojmë rrethanat e incidentit. Mbrojtja kundërajrore ishte në veprim,” tha guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov në Telegram.

Njëmbëdhjetë ndërtesa banimi dhe 39 shtëpi u dëmtuan në shpërthimet që ndodhën në orët e para, tha ai, por nuk i akuzoi forcat ukrainase se ishin pas sulmeve.

Gladkov tha se ai e vizitoi vendin shumë shpejt pas shpërthimeve, të cilat goditën pesë rrugë në veri të qendrës së qytetit.

Dy nga të plagosurit, një burrë dhe një fëmijë, u shtruan në spital, ndërsa dy të tjerët u trajtuan në vendin e ngjarjes, tha ai.

Që kur Moska filloi operacionin e saj ushtarak në Ukrainë më 24 shkurt, Rusia ka akuzuar vazhdimisht Kievin për kryerjen e sulmeve në tokën ruse, veçanërisht në rajonin e Belgorodit.

Në fillim të prillit, Gladkov akuzoi Ukrainën se kishte sulmuar një depo karburanti në qytet me dy helikopterë./REL