Foto: Ilustrim
Tre të lënduar në aksidentin në magjistralen Prizren - Gjakovë
Tre persona janë lënduar, prej tyre njëri në gjendje më të rëndë, në një aksident në rrugën magjistrale Prizren-Gjakovë, në segmentin në fshatin Gradish të Rahovecit.
Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Gjakovës, Nysret Xhurkaj, ka thënë për KALLXO.com se personi i lënduar më rëndë është duke u trajtuar në QKUK.
“Rasti ka ndodhur në fshatin Gradish. Tre persona janë të lënduar, njëri është në gjendje më të rëndë i cili prej Emergjencës në Gjakovë është dërguar për trajtim në QKUK”, ka deklaruar Xhurkaj.
Sipas Xhurkajt, shkaktari i aksidentit ka qenë moskujdesi i njërit nga vozitësit.
“Shkaktar i aksidentit ka qenë moskujdesi i vozitësit të automjetit i cili ka qenë duke shkuar prej Prizrenit për Gjakovë, ka devijuar me vetëdije apo pa vetëdije trasenë e vet edhe ka dalë në anën e kundërt me automjetin tjetër prej Gjakovës në drejtim të Prizrenit kështu që është shkaktu aksident”, ka shtuar më tej Xhurkaj.