Ilustrim

Tre të arrestuar për vjedhjen e të dhënave të kartelave bankare

Policia e Kosovës sot ka arrestuar tre persona të dyshuar për vjedhje të të dhënave të kartelave bankare dhe llogarive tjera të ndryshme.

Sipas njoftimit, policia ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar në Prishtinë dhe Gjakovë.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar – Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, pas hetimeve të zhvilluara nën dyshimin e përfshirjes në veprat penale: ‘Hyrja në sistemet kompjuterike’ dhe ‘Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’, sot më, 20.02.2020 ka zbatuar urdhëresën  për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ku janë kontrolluar shtëpitë dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarve, në Prishtinë dhe Gjakovë”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë të arrestuarit janë: B.J. viti i lindjes 1999, L.S. viti i lindjes 1999 dhe  Y.O. viti i lindjes 1996.

“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar prova të  ndryshme të cilat janë të ndërlidhura me rastin. Ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit kanë kryer në vazhdimësi veprat e cekura më lart me qëllim të përfitimit personal, vjedhjen e të dhënave të kartelave bankare dhe llogarive tjera të ndryshme, pastaj këto të dhëna i shitnin përmes ueb faqeve të ndryshme”, thuhet më tej.

Si provë material policia thotë se janë sekuestruar përkohësisht: 5 kompjuter Laptop, 1 (shtëpizë kompjuteri, 6 telefona celular,  1 veturë që dyshohet se është përfituar nga vepra penale,  1 IPAD,  1 hard disk,  2 USB dhe 13 CD

Po ashtu është bërë e ditur se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit  janë dërguar në mbajtje për 48 orë.