Foto: Ilustrim

Tre të arrestuar për vjedhje në rajonin e Prishtinës brenda 24 orëve

Tri raste të vjedhjeve janë regjistruar në rajonin e Prishtinës në 24 orët e fundit.

Lidhur me këto raste Policia ka njoftuar se janë arrestuar tre persona të dyshuar.

Një burrë në Prishtinë është arrestuar pasi është kapur në flagrancë duke vjedhur celularin e një gruaje.

Policia ka njoftuar se viktima ka pranuar tretman mjekësor.

“I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit  është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar PK.

Një tjetër burrë në Prishtinë është arrestuar pasi është kapur në flagrancë duke vjedhur gjëra ushqimore në vlerë rreth 70 euro.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:55.

Sipas policisë me urdhër të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në Obiliq, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se në kamionetën e tij kishte ngarkuar thëngjill që e kishte vjedhur.

Sipas PK-së, i njëjti ka tentuar të ikë.

Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:10.

Policia ka njoftuar se i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.