Policia e Kosoves (PK). Foto: Kallxo.com
Tre të arrestuar për dhunë në familje në 24 orët e fundit në Kosovë
Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë dhe 3 persona janë arrestuar.
Policia ka njoftuar se rastet e dhunës në familje kanë ndodhur në Prishtinë, Ferizaj e Vushtrri.
Në Prishtinë, sipas policisë, janë intervistuar dy të dyshuarit, një grua dhe një burrë kosovar, të cilët pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
Në një rast tjetër, po në Prishtinë, është raportuar se një i dyshuari, derisa ishte nën ndikim të alkoolit, e ka sulmuar fizikisht një grua.
Sipas policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor. Kurse, pas intervistimin palët, janë liruar në procedurë të rregullt.
Në Ferizaj, policia ka arrestuar një person për dhunë në familje.
“Është raportuar se i dyshuari ka shkaktuar dhunë psikike ndaj viktimës grua kosovare po ashtu kishte kanosur edhe verbalisht viktimën”- thuhet në njoftim.
I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq në Vushtrri, polica ka njoftuar se ka arrestuar dy presona për sulm fizik ndaj një personi tjetër.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje e kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar”- ka thënë Policia.
Dy të dyshuarit, sipas policisë, janë dërguar në mbajtje.