
Tre të arrestuar për dhunë në familje në 24 orët e fundit
Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit, teksa tre persona janë arrestuar.
Në Prishtinë një i dyshuar është raportuar se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një shtetase kosovare.
“Me 03.02.2025 është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka shkuar te familja e saj, ndërsa i dyshuari është intervistuar dhe, me vendim të Prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.” – bëri të ditur Policia.
Po ashtu, në Prishtinë dy të dyshuar janë arrestuar pas një mosmarrëveshjeje.
“Pas një mosmarrëveshje mes dy të dyshuarve meshkuj kosovarë, lëndime trupore kanë pësuar dy të dyshuarit dhe viktima mashkull kosovar dhe si pasojë kanë pranuar tretman mjekësor. Palët janë intervistuar dhe, me vendim të Prokurorit, dy të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.” -thuhet në Raportin 24-orësh të Policisë.
Në mbajtje është dërguar edhe një shtetas turk, pasi dyshohet se në Prizren sulmoi fizikisht një shtetase kosovare.
“Është arrestuar i dyshuari shtetas turk, për shkak se i njëjti kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje.” – tha Policia.
Viktimë e dhunës psikike ishte edhe një grua në Lipjan.
“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori. Rasti në procedurë hetimore.” – thuhet mes të tjerash në Raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.