Ilustrim

Tre të arrestuar për dhunë në familje - Gjashtë raste raportohen në Polici për 24 orë

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në Polici, në 24 orët e fundit.

Në Raportin 24-orësh, më 24.02.2025, Policia e Kosovës tregon se dy raste ndodhën në Pejë, një në Podujevë, një në Prishtinë, një në Rahovec dhe një në Mitrovicë të Veriut.

Në Podujevë, më 23.02.2025, një grua ka raportuar se po përcillet dhe ndihet e rrezikuar nga bashkëshorti me të cilin është ndarë. Sipas Policisë, palët janë intervistuar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Më 23.02.2025, në Prishtinë, viktima burrë ka raportuar se gruaja me të cilën është në procedurë divorci ka ushtruar dhunë psiqike ndaj tij. Palët janë intervistuar dhe liruar me vendim të Prokurorit.

Një person u arrestua në Pejë, më 22.02.2025, për shkak se kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të Prokurorit, i arrestuari u dërgua në mbajtje.

Policia njofton se në Pejë është arrestuar edhe një person më 23.02.2025, pasi që kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij dhe i ka shkaktuar lëndime trupore. Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Më 23.02.2025, në Rahovec u arrestua një person i cili kishte sulmuar fizikisht familjarët e tij. Prokurori ka vendosur që të dyshuarin ta dërgojë në mbajtje.

Gruaja ka raportuar më 23.02.2025, në Polici në Mitrovicë të Veriut, se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë psiqike ndaj saj. Palët janë intervistuar, viktimës i është lëshuar urdhërmbrojtës, ndërsa rasti është inicuar në procedurë të rregullt.