Ilustrim

Tre të arrestuar në Ferizaj, dy prej tyre dyshohen se penguan Policinë për të arrestuar të dyshuarin për vjedhje

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar tre persona të dyshuar, një për vjedhje e dy të tjerë pasi penguan zyrtarët policorë që të arrestojnë të dyshuarin e parë.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ngjarja ka ndodhur mbrëmë, më 21.11.2024 në 19:00h në Ferizaj.

Policia tha se fillimisht kanë pranuar informatë se në rrugën ‘”Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, në dy raste të ndara, në dy lokale ishin kryer vjedhje.

Më pas, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku policët e rendit dhe hetuesit e stacionit të Ferizajt pas një pune intensive në terren, në bazë të shikimit të kamerave të sigurisë kanë identifikuar të dyshuarin E.D. i moshës 58-vjeçare.

Policia tha se i dyshuari është gjetur në një bodrum të një banese në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, ku edhe është arrestuar.

Në po të njëjtin vend janë arrestuar edhe dy persona tjerë E.N. – 31-vjeçar dhe U.E – 42-vjeçar, të cilët dyshohet se kanë penguar zyrtarët policorë derisa kanë arrestuar të dyshuarin E.D.

Në njoftim thskohet se tre të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit të tyre nga hetuesit policorë, me vendim të prokurorit të shtetit, personat E.D. dhe E.N. janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa U.E. është liruar për procedurë të rregullt hetimore.