Tre të arrestuar në dy raste për përfshirje në kontrabandë me emigrant dhe mallra

Departamenti i Policisë Kufitare, gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se ka iniciuar dy raste të kontrabandës me mallra dhe kontrabandës me migrant në fshatin Korminjan të Komunës së Ranillug.

Në kuadër të këtyre rasteve, policia ka arrestuar tre persona të dyshuar dhe ka konfiskuar mallra të kontrabandauara, ndërsa ka trajtuar sipas procedurave nëntë emigrantë.

“Njësia patrulluese e policisë kufitare, mbrëmë rreth orës 19:00, në zonën kufitare mbi fshatin Korminjan, kanë arritur t’i ndalojnë tre traktorë me rimorkio të improvizuara të cilët kishin ardhur nga Serbia për në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të policisë, drejtuesit e traktorëve kishin përdorur rrugë ilegale për të kontrabanduar mallra në mënyrë të paligjshme. Me këtë rast policia ka konfiskuar 222 arka me birra, me nga 20 shishe, 51 laptop të përdorur, 98 rregullator për laptop, 39 tastatura për laptop, 53 pula të gjalla, 180 nescafe, 14 sallama, 15 rafte metali dhe 248 copë artikuj ushqimor.

Me aktvendim të prokurorit njëri i dyshuar dërgohet në mbajtje, dy të tjerë lirohen në procedurë të rregullt.

Ndërsa në rastin e dytë, zyrtarët policorë, në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Elezit, sot rreth orës 11:10 në hyrje në Terminalin Doganor kanë kontrolluar me prisje të veçantë (zbulues të pranisë së njerëzve në automjete), një kamion që drejtohej nga S.N., 45 vjeçar, shtetas i Serbisë.

I njëjti sipas policisë vinte nga shteti i Greqisë dhe gjatë kontrollimit, pas sinjaleve të marra, është vendosur që rimorkio të hapet për kontrollim.

“Pas kontrollit, në rimorkion e kamionit janë hasur nëntë emigrant pa dokumente identifikimi. Rasti është trajtuar në koordinim me prokurorin kujdestar”, thuhet në njoftim.