Foto: Ilustrim

Tre raste të vjedhjes në Kosovë, asnjë i arrestuar

Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë ndodhur tri raste të vjedhjes, dy në Fushë Kosove dhe një në Prizren, porse në asnjërin prej tyre, nuk është arrestuar ndonjë i dyshuar.

Rasti i parë ka ndodhur dje në orët e para të mëngjesit në Fushë Kosovë, për të cilin viktima ka raportuar në Polici se disa persona të panjohur, me forcë kanë hyrë në lokalin e tij dhe i kanë vjedhur arkën me para të gatshme.

Po në Fushë Kosovë, ka ndodhur një rast afërsisht i njëjtë i vjedhjes. Një qytetar ka raportuar se persona të panjohur, e kanë hapur me forcë derën e zyrës dhe kanë vjedhur para të gatshme.

Ndërsa rasti i tretë ka ndodhur në Prizren mbrëmjen e djeshme rreth mesnatës. Në këtë rast, sipas ankuesit, persona të panjohur kanë hyrë me forcë nga dritarja në shtëpinë e tij dhe i kanë vjedhur para të gatshme, stoli ari dhe një koleksion të orëve. Deri tani, policia nuk ka njoftuar se ka të arrestuar për rastet e lartpërmendura.