Foto: Ilustrim

Tre raste të dhunës në familje në Kosovë, dy të dyshuar në arrati

Policia e Kosovës ka njoftuar për paraqitje të tre rasteve të dhunës në familje në tri lokacione të ndryshme në Kosovë – Prishtinë, Pejë dhe Skenderaj.

Rasti i parë ka ndodhur në Prishtinë për të cilin një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me bashkëshortin e saj, ishte sulmuar fizikisht.

Sipas Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është në kërkim të Policisë.

Rasti tjetër është njoftuar se ka ndodhur në Pejë mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00, ku viktima kishte raportuar rastin për të dyshuarin burrin e saj.

Policia njofton se viktima nuk kishte pësuar lëndime trupore dhe ka refuzuar tretmanin mjekësor që i është ofruar.

Pas intervistimit, viktima është dërguar në shtëpi të sigurt ndërsa, i dyshuari është në kërkim.

Ndërsa për rastin e tretë që ka ndodhur në Skenderaj, është arrestuar një burrë i cili edhe pse e kishte të ndaluar me urdhër-mbrojtës, kishte shkuar në banesën e gruas së tij, njofton Policia.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.