Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tre punëtorët që i zuri dheu në Prizren ishin duke punuar në projekt të komunës

Gjendja e tre personave që i zuri dheu dje në Prizren përderisa po hapnin një kanal për ujëra të zeza është e mirë.

Ata u lënduan përderisa po punonin në një projekt të komunës.

Spitali i Prizrenit konfirmoi për KALLXO.com se dy prej tyre janë liruar nga spitali, ndërsa njëri është dërguar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ejup Kryeziu, menaxheri i kontratës “Ndërtimi i rrugës Tranzitore – kryqëzimi me autostradën në Prizren”, tha se ka biseduar me pronarin e kompanisë së kontraktuar dhe se edhe gjendja e personit të shtrirë në spital është stabile.

“Deri te situata e krijuar ka ardhur si pasojë e shembjes së dheut  i cili në atë pjesë të rrugës ka qenë dhe i mbushur” – tha Kryeziu për KALLXO.com.

Sipas njoftimit policor, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Tranziti i Ri” në Prizren.

Tutje u tregua se lidhur me rastin, përveç njësive policore është njoftuar prokurori dhe inspektori i punës.

Dheu zë tre persona, po hapnin një kanal për ujëra të zeza