ILUSTRIM: Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com

Tre persona të arrestuar e një në arrati për "dhunë në familje" në 24 orët e fundit

Policia ka bërë të ditur se shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit.

Sipas Policisë, tre persona janë arrestuar dhe një është në arrati.

Rastet e dhunës në familje – sipas Policisë – kanë ndodhur në Prishtinë, Fushë Kosovë, Klinë, Rahovec e Gjakovë.

Në Prishtinë Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar një person, pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht ish të dashurën e tij.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të Prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.” – ka njoftuar Policia.

Në një rast tjetër në Prishtinë, Policia ka njoftuar se pas një mosmarrëveshjeje dyshohet se një person ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

“I dyshuari është shoqëruar në Stacionin policor dhe pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, rasti procedohet në procedurë të rregullt.”- ka bërë të ditur Policia.

Ndërkaq, në Fushë Kosovë – sipas Policisë – është raportuar se një i dyshuar i ka shkaktuar dhunë psikike një gruaje.

I dyshuari – sipas Policisë – është shoqëruar në Stacionin policor dhe pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, rasti procedohet në procedurë të rregullt.

Po në Fushë Kosovë – sipas Policisë – një person dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar fizikisht një grua. Viktima – sipas Policisë – ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është në arrati.

Në Klinë, një person dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar fizikisht një grua.

“Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.” – ka njoftuar Policia.

Kurse në Rahovec – sipas Policisë – një femër është dërguar në Emergjencë, pasi që dyshohej se pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshortin e saj dyshohet se ka përdorur medikamente dhe detergjentë të ndryshëm.

“Viktima është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje.” – ka thënë Policia.

Në Gjakovë, Policia ka arrestuar një person, pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij

Sipas Policisë, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.